08:17 / E Enjte, 08 Dhjetor 2022 / L K

Putin: Rreziku bërthamor po rritet, por ne nuk jemi të çmendur

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se kërcënimi i një lufte bërthamore po rritet, por këmbënguli se Rusia nuk ishte “çmendur” dhe nuk do të përdorte armët e saj bërthamore e para.

Putin këmbënguli se vendi i tij do të përdorte vetëm armë të shkatërrimit në masë në përgjigje të një sulmi, shkruan BBC.

Duke folur në takimin vjetor të këshillit rus të të drejtave të njeriut, ai tha gjithashtu se lufta në Ukrainë mund të jetë një “proces i gjatë”.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se Putin fillimisht kishte planifikuar një fitore të shpejtë.

Kapaciteti i Rusisë për të përdorur armë bërthamore është vënë nën kontroll të shtuar që kur ajo pushtoi Ukrainën në shkurt.

“Një kërcënim i tillë po rritet, do të ishte gabim ta fshihni,” paralajmëroi Putin ndërsa fliste për perspektivën e një lufte bërthamore përmes videolidhjes nga Moska.

Megjithatë ai tha se Rusia “në asnjë rrethanë” nuk do të përdorte armët e para dhe nuk do të kërcënonte askënd me arsenalin e saj bërthamor.

“Ne nuk jemi çmendur, ne jemi të vetëdijshëm se çfarë janë armët bërthamore,” tha ai, duke shtuar: “Ne nuk do të vrapojmë nëpër botë duke e tundur këtë armë si brisk.”

Putin gjithashtu u mburr se Rusia kishte armët bërthamore më moderne dhe më të avancuara në botë dhe e krahasoi strategjinë e saj bërthamore me ShBA-në – e cila siç tha ai, kishte shkuar më tej se Rusia duke vendosur armët e saj bërthamore në territore të tjera.

“Ne nuk kemi armë bërthamore, përfshirë ato taktike, në territorin e vendeve të tjera, por amerikanët kanë – në Turqi dhe në një numër vendesh të tjera evropiane,” tha ai.

Putini ka insistuar më parë se doktrina bërthamore e Rusisë lejonte vetëm përdorimin mbrojtës të armëve bërthamore.