15:51 / E Martë, 14 Shkurt 2023 / B O

Putini lëshon në ajër “ariun” bërthamor, rusët mësyjnë Poloninë, dy avionë të NATO-s i ndalojnë

Në Poloni është shmangur një incident që mund të niste luftën e madhe. Në qiellin përgjatë kufirit me Kaliningradin, enklavën ruse në Baltik, është zhvilluar një betejë në distancë mes bombarduesve të fuqishëm të NATO-s me ato të Rusisë. E gjitha për faj të një gabimi në përkthim. Një formacion me 3 avionë luftarakë rusë po udhëtonte në drejtim të hapësirës ajrore polake, por që u ndalua nga dy avionë F-35 holandezë të misionit të NATO-s.

“Avionët holandezë F-35 kryen dëbimin e parë të avionëve rusë SU-27s dhe IL-20 që po fluturonin pranë hapësirës ajrore të NATO-s. Të mbështetur nga avionët gjermanë Eurofighter, ata eklipsuan bombarduesit rusë që përbënin kërcënim për përdoruesit e tjerë të hapësirës ajrore duke injoruar rregullat e sigurisë ajrore.”

KOMANDA AJRORE E NATOS

Komunikata fillestare e ministrisë së mbrojtjes holandeze fliste për një aksion të ndodhur mbi Poloni, që do të përbënte një shkelje të sovranitetit të shtetit anëtar të NATO-s. Por më pas u sqarua se bëhej fjalë vetëm për hyrje në zonën e kontrollit mes Varshavës dhe Kaliningradit.

Kjo enklavë ruse gjendet në brigjet e detit Baltik mes vendeve anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Europian, Polonisë dhe Lituanisë. Lidhur me incidentin, autoritetet ruse nuk kanë dashur të komentojnë. Një gjeneral i ushtrisë polake, tha për mediat vendase se bombarduesit rusë që ishin në kufirin e shtetit të tij, ishte kryesisht një provokim.

“Kjo tregon se edhe pse lufta po zhvillohet në Ukrainë, ne jemi gjithashtu një objektiv që Rusia po e kontrollon dhe teston”, u shpreh Roman Polko.

Provokimet e Vladimir Putinit nuk mbaruan me kaq. Ministria ruse e mbrojtjes publikoi pamje të një fluturimi rutinë të bombarduesve strategjikë me aftësi bërthamore. Avioni TU-95MC, I shoqëruar nga bombarduesit Sukhoi Su-30, përformoi një fluturim prej 7 orësh mbi detin Bering, që ndan Rusinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Paqësorin Verior.

Bombarduesi bërthamor rus, të cilin NATO e ka quajtur “Ariu”, hyri në funksion gjatë Luftës së Ftohtë në mesin e viteve ’50, por që është modernizuar disa herë. Aktualisht mund të mbajë 16 raketa me koka bërthamore.