10:58 / E Enjte, 27 Maj 2021 / OSH

PZAP-ja gjobiti me mbi 2 milionë euro partitë për 13 vjet

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që nga viti 2008 dhe deri në vitin 2021, ka pranuar mbi 560 ankesa për zgjedhje. E vlera totale e gjobave të shqiptuara për subjektet politike ka qenë mbi 2 milionë euro.

Kështu u tha në hulumtimin e publikuar nga Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), me titullin “Zgjedhjet para gjykatës”.

Me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Prishtinë, janë monitoruar proceset zgjedhore që nga viti 2010 dhe ky është edicioni i tretë i punimit Drejtësia Zgjedhore.

Hulumtuesi Allen Meta tha se në zgjedhjet lokale ka më shumë ankesa dhe parashtresa për dallim nga ato nacionale.

“Partia Demokratike e Kosovës prin me gjoba nga PZAP. Vetëm në vitin 2017 në zgjedhjet lokale, LDK e ka marrë këtë primat. Vetëm PDK dhe LDK kanë qenë partitë që janë gjobitur më së shumti nga PZAP. Ka rënie të madhe të kallëzimeve penale dhe personave të përfshirë prej vitit 2013 deri në vitin 2021”, ka thënë ai.