20:15 / E Shtunë, 04 Prill 2020 / indeksADMonline

Qalaj thotë se Kosova është shume e qetë dhe e sigurt, ka një apel për bizneset

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka deklaruar se situate e sigurisë në Kosovë është shumë e qetë dhe e sigurt falë punës së palodhshme të institucioneve në bashkëveprim me qytetarët.

“Falënderoj qytetarët për respektimin e udhëzimeve dhe kufizimeve që janë dhënë nga institucionet e Kosovës. Mund të them se janë qytetarët ata që po e bëjnë punën e lehtë të PK-së dhe në mase të madhe këto udhëzime po respektohen nga qytetarët dhe apeloj që të respektohen edhe më shumë. Çdo respektim i udhëzimeve i ndihmon qytetarët të kenë familje të shëndoshë, pra kujdesen për familjet e tyre dhe gjithë popullin. Nga aspekti i sigurisë, Kosova është shumë e qetë dhe e sigurt dhe është falë punës së palodhshme të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve që në këtë kohë pandemie po tregojnë disiplinë të madhe”, tha Qalaj, shkruan Indeksonline.

Ai gjithashtu shtoi se angazhimet e policisë janë të madhe dhe se të njëjtit vazhdojnë të punojnë nga 12 orë.

“Angazhimet e policisë janë të mëdha, bëjmë përcjellje nga pikat kufitare dhe i dërgojmë në Qendrën e Studentëve, bëjmë përcjelljen e qytetarëve që transit kalojnë nëpër territor e bëjmë bashkë me FSK-në dhe angazhohemi në shumë prej lokacioneve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Falënderoj popullatën sidomos atë të Klinës, Malishevës e qyteteve tjera që po respektojnë vendimet. Angazhimi i policisë është shumë i madh, pasi edhe punojmë nga 12 orë, punë që po e bëjnë të gjithë, mjekët, infermieret, zjarrfikësit kanë bërë që situate të jetë nën kontroll dhe shpresojmë edhe në të ardhmen të jetë. Jemi të përkushtuar që edhe në vazhdimësi të punojmë që qytetarët të kenë kushte për të funksionuar. Bëjmë apel meqenëse ora e kufizimit është deri në 17:00, pronarët e bizneseve të tentojnë t’i mbyllin ato një orë më herët në mënyrë që punëtorët të arrijnë në shtëpi në ora 17:00, e jo në ora 18:00. I lusim bizneset që të na krijojnë kushte në mënyrë që të kemi sa më pak pengesa në rrugë. Të gjitha veprimet që policia ndërmerr janë veprime të kordinuara me institucionet tona lokale dhe qendrore. S’ka vend për panik dhe nuk ka vend që Policia e Kosovës nuk vepron në gjithë vendin në veprim me Kushtetutën dhe në parim me ligjet”, shtoi ai./Indeksonline/