14:16 / E Diele, 21 Mars 2021 / Blerim

Qëndrimi i Republikës së Shqipërisë ndaj demonstratave në Kosovë me 1981

Prof.asoc.dr. Sabit SYLA

Vështrim i shkurtër mbi zhvillimin e demonstratave në Kosovë

Demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Pas vitit 1968 dhe miratimit të Kushtetutës federative të vitit 1974 shqiptarët e Kosovës u orientuan të ngrinin e të konsolidonin institucionet autonome politike, ekonomike e kulturore. Ndërkohë ndryshimet kushtetuese dhe proceset politike ishin të përkohshme. Me gjithë zhvillimet, statusi i Kosovës krahasuar me republikat e tjera të Jugosllavisë ishte përsëri i ulët, gjë që linte të pambyllur hendekun ndërmjet Kosovës dhe njësive të tjera federative. Shqetësimi dhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për prosperitet, dora dorës po fokusoheshin në një pikë si të pavarësoheshin nga Serbia e të arrinin statusin e Republikës. Shqiptarët që kërkonin statusin e Republikës së Kosovës e punonin për realizimin e tij arrestoheshin e burgoseshin. Sipas burimeve të ndryshme arkivore shqiptare dhe jugosllave në vitet 1974-1981 ishin arrestuar për veprimtari nacionaliste më shumë së 600 shqiptarë. Pa kaluar as një vit nga Kushtetuta e vitit 1974, Kryesia e RS të Serbisë organizoi një komision për të kundërshtuar zgjidhjet kushtetuese të vitit 1974 lidhur me statusin e krahinave dhe raportin e tyre me Serbinë. Në Federatën jugosllave Kosova mbeti rajoni më i prapambetur në të gjithë treguesit ekonomik. Në vitin 1979 kapaciteti prodhues për banorë në Kosovë ishte 7,2 herë nën nivelin federativ dhe 16 herë nën atë të Sllovenisë. Në vitin 1980 të ardhurat kombëtare për banor në Kosovë përbënin 28,1% të mesatares jugosllave. Politika ekonomike e udhëheqjes jugosllave ishte e ndryshme me praktikën që ndiqej në njësitë e tjera federative. Ajo mbeti në thelb një politikë kolonialiste. Ne anen tjeter, aspirata e shqiptarëve të Kosovës për jetë të pavarur bëhej gjithnjë e më imponuese. Pakënaqësia ndaj pushtetit nacionalist serb përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë së Kosovës. Vëllimet politike në Kosovë ishin shfaqur herë pas here. Demonstratat e vitit 1981 që shpërthyen në pranverë të vitit 1981 ishin rrjedhojë e këtij procesi. Fillimisht shpërthyen si protesta sociale, në mbrëmjen e 11 marsit në qendrën e studentëve në Prishtinë. Vala e parë e protestave u spraps e pakënaqësia ndër studentët rritej çdo ditë. Më 26 mars studentët nga qendra studentore u derdhen në rrugët e Prishtinës. Me ta u bashkuan edhe nxënësit e shkollave të mesme, punëtor madje edhe fshatar. Parullat e datës 11 mars kishin qene: “Duam bukë, duam kushte”, e më 26 mars e 1 prill parullat evoluan në: “Poshtë borgjezia”, “Rroftë klasa punëtore”, “Rroftë vëllazërimi i popullit shqiptar”, “Bashkim i të gjitha viseve shqiptare”, “Jemi shqiptarë e jo jugosllavë”, “Mjaftë me shfrytëzimin e Trepçës”, “Trepça punon, Beogradi ndërton”. Në këtë larmi kerkesash qëndronte një themel – Kosova Republikë. Numri i demonstruesve arriti në mijëra veta, pasi në datat 1-2 prill demonstrata shpërthyen edhe në qendra tjera te Kosoves. Nderkohe, studentët vazhduan të manifestonin në rrugët e Prishtines, ndaj tyre u përdorën armët e zjarrit. Pati të vrarë e të plagosur dhe shumë demonstrues u burgosën.

Komiteti Krahinor i Kosovës demonstratat e 11 marsit i vlerësoi si revolta me karakter social, ndërsa më vonë si në Kosovë dhe në Federatë këto demonstrata u quajtën si “irredentiste” e “kundërrevolucionare”.  Nga federata sinjali ishte i qartë duhej të fillonte procesi i diferencimit politik. Universiteti i Prishtinës u etiketua si kështjellë e nacionizmit shqiptar. Diferencimi politik ishte i egër, mbi 300 intelektualë të shquar u izoluan. Demonstratat e mars-prillit 1981 u mbytën me dhunë dhe patën kosto shumë të lartë. Përdorimi i tankeve i armëve të zjarrit kundër demonstruesve që kërkuan Republikën e Kosovës zbuluan para botës se fasada demokratike e Jugosllavisë ishte e rreme.

Demonstratat e vitit 1981, jo vetem që e tronditën pushtetin jugosllave, por nuk i lanë indiferent, as shtetet e vendeve te Evropes perëndimore, lindore, shtetet skandinave, aziatike, afrikane e SHBA-të. Ndikimi, roli dhe permasat e pranveres se vitit 1981 ne Kosove, ne aspektin nderkombetar te ballafaqojne me shumë se me një demonstratë, me një vend (siç është Kosova), me shumë se me një shtet siç qe Jugosllavia, me shumë se më një kontinent. Sepse, ngjarjet reflektuan në formë zingjirore. Të tilla ishin rrethanat politike, ekonomike, diplomatike, historike dhe gjeopolitike të asaj kohe në Ballkan dhe Evropë. Jo vetëm shtetet e Evropës Perëndimore, lindore, skandinave, etj.,  por edhe dy superfuqitë e kohës: SHBA dhe BRSS, nuk kanë qëndruar indiferent sa i përket ngjarjeve të vitit 1981.

Shtetet e ndryshme evropiane dhe boterore, me qëndrime herë të njëjta e të përafërta, herë të ndryshme, madje edhe kontradiktore shfaqën varësisht kontekstit dhe rrethanave ekonomike, politike, ideologjike, strategjike e varësisht prej pozicionimeve dhe interesave të ndryshme. Qëndrimet ishin të ndryshme  te “bllokut perëndimor”, nga ato të bllokut lindor. Kjo për shkaqe ideologjike, strategjike, ekonomike dhe të sferave të ndryshme të interesit. Ndryshojnë edhe për shkaqe të dallimeve konceptuale për shtetin, për rregullimin shtetëror, për konceptet politike, ekonomike etj. Mbi kete baze edhe kontradiktatmes Lindjes e Perëndimit, mes SHBA dhe BS dalin aq shpejt dhe aq rrufeshëm në sipërfaqe për ngjarjet e zhvilluara ne Kosove. Të ndryshme ishin qëndrimet e shteteve të Perendimit nga ato të Lindjes, te shteteve Skandinave nga ato te vendeve aziatiko-afrikane e qëndrimet e SHBA me ato të BS.

               Ne vecanti, Demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, patën jehonë sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve, por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre. Kjo, u prit me zemërim në qarqet jugosllave, e cila akuzoi Shqipërinë se qëndronte prapa demonstratave në Kosovë, që jetonin nën pushtimin e RSFJ-së. Në Jugosllavi edhe mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe.

Qendrimi i Shtetit shqiptar

Shqipëria ndoqi me vëmendje të veçantë demonstratat e zhvilluara në Kosovë me 1981, duke ushtruar rolin e saj kombëtar dhe ndërkombëtar.Çështja e Kosovës u shtrua në organet udhëheqëse shtetërore dhe u morën një sërë masash për ndjekjen dhe pasqyrimin e ngjarjeve të zhvilluara. Pas Demonstratës së 11 marsit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Tirana i kërkoi Ambasadës se saj në Beograd që të informonte se çfarë kishte ndodhur në Prishtinë. Më 16 mars, u njoftuan përfaqësitë diplomatike për demonstratën dhe u udhëzuan që të jenë të kujdesshëm të mos prononcohen dhe të mos merrnin në mbrojtje asnjë grup. Më 17 mars u diskutua çështja në Ministrinë e Jashtme, duke analizuar edhe mjaft dukuri të mëparshme, sidomos ato gjatë shkurtit dhe fillimit të marsit (greva e 8 shkurtit e 40 punëtoreve në Obiliq, parullat “Rroftë PPSH”, të shkruara në korridoret e konvikteve të vajzave në Universitetin e Prishtinës), etj[1].Me 21 dhe 23 mars ne gazetën “Bashkimi”[2], u shkruan dy artikuj, si: “Luftë e armatosur heroike e ushtrisë së lidhjes shqiptare të Prizrenit”[3], dhe “Forca e patriotizmit shqiptar”[4]. Po më 23 mars u informuan të gjitha përfaqësitë diplomatike për përmbajtjen e këtyre dy artikujve. Po ashtu më 23 mars u udhëzua Ambasada në Beograd që të analizojë të gjitha të dhënat për ngjarjet e 11-12 marsit në Universitetin e Prishtinës dhe të dërgojë një material me mendimet e saj. Më 28 mars u informuan përfaqësitë diplomatike për demonstratat e 25 marsit, duke i porositur për kujdes, sipas udhëzimit të mëparshëm dhe duke kërkuar prej tyre që të informonin menjëherë dhe për çdo gjë që lidhej me ato ngjarje. Më 31 mars u bë përsëri një analizë tjetër bazuar në të dhënat që kishin deri atëherë edhe për demonstratat e 25 marsit në Prizren dhe 26 marsit në Prishtinë dhe në mjaft komuna të tjera, duke bërë edhe krahasimin me demonstratat e vitit 1968 dhe midis qëndrimeve jugosllave të asaj kohe me ato të 1981-shit[5].

Me 4 prill, ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka, u udhëzua nga Ministria e Punëve të Jashtme, për qëndrimin që duhej të mbante lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Sipas udhëzimit, ambasadori shqiptar duhej të kërkonte menjëherë takim me zëvendëssekretarin federativ të Punëve të Jashtme e ndër të tjera t’i theksonte: “Konstatoj se marrëdhëniet midis dy vendeve tona zhvillohen normalisht në frymën e politikes së fqinjësisë së mirë… Shqipëria nuk ka ndërhyrë e nuk ndërhynë në punët e brendshme të Jugosllavisë… Nga organet e ndryshme të shtypit unë kam mësuar për ngjarjet në Kosovë, si për demonstratat ashtu edhe për masat e marra… Ju e kini të qartë qëndrimin tonë, Shqipëria as ka ndërhyrë as ka pasur dhe as ka asnjë lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Kosovë… Ne nuk ndërhyjmë në punët tuaja, por unë mendoj se do të ishte edhe në të mirën e Kosovës dhe të Jugosllavisë Federative që të mos ndiqet rruga e goditjeve dhe e masave represive… kërkesat e drejta, që rrjedhin nga kushtetuta e RFS të Jugosllavisë, e që janë të  ligjshme t’u njihen shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi”[6]. Po ashtu më 4 prill u udhëzuan diplomatët shqiptarë që të mos mbyllnin gojën për Kosovën, por të flasin edhe ata për sa kanë mësuar nga shtypi, të theksojnë se Shqipëria nuk ka gisht në ngjarje dhe të përgënjeshtrojnë pohimet e njërit apo tjetrit për këtë, të vlerësojnë se ngjarjet në Kosove janë rezultat i gjendjes së keqe dhe i mohimit të  drejtave që jep kushtetuta, duke kërkuar që ata t’i zgjidhin kërkesat e kosovarëve, sipas kushtetutës dhe të mos krijojnë vështirësi, etj[7]. Më 5 prill, u thirr mbledhja e Byrosë Politike u diskutua mbi ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dhe masat që duheshin ndërmarrë. Në Byro për këtë çështje të gjithë qenë dakord për të shkruar një artikull në gazetën “Zëri i Popullit”, për të dënuar dhunën serbo-jugosllave ndaj studentëve dhe popullit të Kosovës[8]. Artikulli në fjalë u botua më 8 prill titulluar: “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?”[9]. Ndërkohë, më 23 prill u shkrua edhe artikulli, “Kush e nxit armiqësinë midis popujve të Jugosllavisë?”[10]

Me radiograme dhe me shkresën qarkore “Udhëzime lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë dhe detyrat e ambasadave”, të datës 14 prill 1981, u udhëzuan ambasadat për mënyrën se si duhet të punojnë për të qenë në gjendje të argumentojnë qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës për të siguruar të dhëna sa më të gjëra e të sakta për ngjarjet, për të organizuar më mirë punën me shqiptarët në vendet ku janë, për të njohur më në thellësi emigracionin shqiptar nga Kosova e viset tjera dhe për ta vënë punën e përfaqësive në këtë drejtim mbi baza më të organizuara, etj[11].

Më 13 maj 1981, u mblodh Byroja Politike. Në mbledhje u dakordua për një artikull të tretë në vijim të dy artikujve të mëparshëm botuar në “Zërin e Popullit”, më 8 dhe 23 prill[12]. Artikull i cili u botua më 17 maj, titulluar: “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë”[13]. Në gazetën “Zëri i Popullit”[14], përveç tre artikujve te lartpërmendur gjatë muajit maj dhe qershor vërshuan edhe një sërë artikujsh tjerë kushtuar demonstratave dhe në përgjithësi çështjes së Kosovës si: “Zëri i shkencës dhe era e shovinizmit”[15], “Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë”[16], “Ngjarjet e Kosovës dhe bashkëpunimi i fshehtë sovjeto-serbomadh”[17], “Një dëshmitar i paanshëm tregon për demonstratat në Prishtinë”[18], “Demokraci nën mitraloza”[19], “Kush është kundër bashkëpunimit kulturor midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”[20], “Piemonti i mirëfilltë, “Piemonti” jugosllav dhe “Piemonti shqiptaromadh”[21], “Jugosllavia titiste, e sëmura e Ballkanit, nxit armiqësinë shqiptaro-greke”[22], “E vërteta mbi marrëdhëniet ekonomike-tregtare midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”[23], “Demaskohen gënjeshtrat e fabrikuara në Beograd”[24], etj.

Në njoftimin e parë që dha AgjenciaTelegrafike Shqiptare (ATSH), filloi publiciteti i qëndrimit të Shqipërisë dhe mori proporcione gjithnjë e më të gjëra mbas botimit të artikujve të “Zërit të Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit 1981. Në artikujt e lartpërmendur theksohej se, Qeveria e Shqipërisë në mënyrë miqësore dhe në kuadrin e politikës së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ka kërkuar nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë që të ndalohen terrori, vrasjet, masakrat, torturat dhe burgimet në masë të kosovarëve nga ana e policisë serbe.Po ashtu i bëhej thirrje jugosllavëve që të ulnin gjakrat, të ruanin gjakftohtësinë e të mos armiqësoheshin me shqiptarë. Në këta tre artikujt bazë të “Zërit te Popullit”, ashtu edhe në artikujt e tjerë, Tirana zyrtare i dha një përkrahje të fuqishme popullit shqiptar të Kosovës për të drejtat e tij. E vetmja rrugëzgjidhje e drejtë për problemin e Kosovës konsiderohej ajo që thuhej në artikujt e “Zërit te Popullit”: T’i jepet fund dhunës e shtypjes policore serbe; të hiqet shtetrrethimi e të tërhiqen nga Kosova forcat policore e ushtarake; t’u kthehen të vrarët familjeve të tyre dhe të lirohen të burgosurit; të shqyrtohen me gjakftohtësi kërkesat e popullit të Kosovës e të zgjidhen drejtë ato; t’i njihet Kosovës statusi i republikës me të gjitha atributet që njeh kushtetuta jugosllave edhe për republikat e tjera, etj. Edhe Hoxha në Ditarin e tij më 9 maj 1981 shkruante: “Krahina Autonome e Kosovës duhej të bëhej republikë, ajo duhej të shkëputej nga tutela e Republikës Socialiste të Serbisë”[25].

Udhëheqja komuniste e Shqipërisë analizonte edhe shkaqet kryesore të shpërthimit të demonstratave. Ajo e vinte theksin te: a) Prapambetja e madhe ekonomike e Kosovës dhe shfrytëzimi i saj nga republikat e zhvilluara, sidomos nga Serbia… b) të keqësimi i vazhdueshëm i jetesës së masave të gjera, sidomos në vitet e fundit, të ngritja e shfrenuar e çmimeve dhe inflacioni gjithnjë e në rritje, etj. Në këtë kuadër, vihej në dukje edhe pozita materiale mjaft e vështirë e studentëve të Universitetit të Prishtinës në krahasim me studentët e universiteteve të tjera të Jugosllavisë. c) Shtypja nacionale e popullsisë shqiptare në Jugosllavi si pasojë e politikes shoviniste serbomadhe, mungesa e lirisë demokratike dhe e të drejtave politike të kombësisë shqiptare në krahasim me kombet e kombësitë e tjera. ç) Aspiratat dhe kërkesat e popullsisë shqiptare në Jugosllavi për çlirim kombëtar e shoqëror të cilat kanë qenë gjithnjë e në ngritje si rezultat i rritjes së vetëdijes kombëtare-shoqërore. Popullsia shqiptare nuk është pajtuar asnjëherë me ato pak të “drejta” që ju ka dhënë kushtetuta jugosllave[26].

Udhëheqja e Tiranës i vlerësonte demonstratat e zhvilluara në Kosovë së pari si dështim të politikës jugosllave në Kosovë si rrjedhojë e politikës së ndjekur ndaj territoreve shqiptare nën Jugosllavi, duke i trajtuar ato si ngastra të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit Zi. Këto ngjarje, sipas udhëheqjes shqiptare përgënjeshtruan edhe një herë me forcë shumë të madhe “suksesin” e politikes titiste për “zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare” në Jugosllavi. Së dyti, udhëheqja shqiptare vlerësonte traditën dhe vendosmërinë që ishte krijuar tek shqiptarët nën Jugosllavi, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit e cila vinte duke u konsoliduar, duke qenë zot i fateve të veta. Ajo ishte e aftë të përdorte të gjitha mjetet e luftës politike dhe shoqërore, si për të sfiduar politiken dhe demagogjinë e Jugosllavisë për realizimin e aspiratave të veta shekullore. Ajo shihej si një lëvizje që do të vazhdonte edhe në të ardhmen e cila do ishte e aftë që t’i imponohej Jugosllavisë dhe do të arrinte së paku që ta detyronte atë të ndiqte një politikë më të drejtë ndaj çështjes shqiptare. Së treti, vlerësohej pjesëmarrja masive e shqiptarëve në demonstrata, të cilët u përkisnin të gjitha shtresave të popullsisë duke vënë në pah sidomos moshat e reja, rininë shkollore e studentore. Së katërti, vlerësohej shumë vendosmëria e demonstruesve, të cilët ishin të ndërgjegjshëm për pasojat dhe dënimin që mund të merrnin prej autoriteteve shtetërore serbe e jugosllave. Së pesti, vetëdija kombëtare dukej se kishte arritur një shkallë të lartë. Shqiptarët nuk besonin më në demagogjinë titiste dhe predikimet e saj për zgjidhjen e çështjes kombëtare e shoqërore në Kosovë[27].

Roli dhe ndikimi në aspektin ndërkombëtar

Roli i shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës, për zbardhjen e të vërtetës për atë se çfarë në të vërtetë ndodhi në mars dhe prill të vitit 1981 në Kosovë, ishte tepër i madh.Udhëheqja politike shtetërore e Tiranës u orientua edhe nga opinioni publik ndërkombëtar, në mënyrë që ajo të ishte në favor të çështjes së Kosovës. Me këtë çështje u rekomandua, sidomos Ministria e Punëve të Jashtme e cila duhej t’u epte ambasadorëve që kishte të akredituar në vende të ndryshme të botes, udhëzime se si e çfarë të bisedohet me personalitete të ndryshme duke u shpjeguar atyre problemet dhe qëndrimet politike të Qeverisë shqiptare për çështje të përgjithshme ndërkombëtare apo të çështjeve konkrete të politikës së jashtme, me theks të veçantë ndaj Jugosllavisë dhe Kosovës. Lidhur me këtë çështje ambasadorët duhej që t’ua ekspozonin qëndrimet politike të Shqipërisë lidhur me demonstratat e zhvilluara në Kosovë dhe çështjen e Jugosllavisë në mënyrë që të influencohet pro një qëndrimi të tillë të Shqipërisë dhe Kosovës edhe nga vendet e tjera evropiane e botërore. Kështu, diplomatët shqiptarë të akredituar në vende të ndryshme të botës duhej që t’i informonin dhe të ndikonin të kolegët e tyre ndërkombëtarë, për avancimin e çështjes së Kosovës. Madje për mes ndërlidhjeve të ndryshme diplomatike shikohej alternativa që të ndikohej edhe tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës[28]. Ndërmarrja e një veprimi të tillë diplomatik nënkuptonte që çështja të zgjidhej në favor të qëndrimit të shtetit shqiptar mbajtur ndaj Kosovës e realizimi i kërkesave të demonstruesve për statusin e tyre politik.

Tirana zyrtare, duke përfshirë shtypin dhe kanalet e veta diplomatike, duke angazhuar dhe mobilizuar edhe mërgatën me qëllim të demaskimit të propagandës jugosllave, madje edhe evrolindore, bëri punë kolosale në ndihmë të vëllezërve të vetë, në ndihmë të gjysmës së kombit shqiptar nën robërinë jugosllave, duke i dalë krah me qëllim që hap pas hapi të shkohet në drejtim të zgjidhjes së drejtë të çështjes kombëtare shqiptare. Me fjalë të tjera, zyrtarët e ambasadave shqiptare nëpër botë bënë të pamundurën që të shpalosin të vërtetën për ngjarjet në Kosovë. Shtypi, diplomacia, shoqata, personalitete vepruan fuqishëm, bindshëm, sipas planeve konkrete në mbrojtje të demonstruesve dhe të drejtave dhe synimeve të tyre. Në baze të planeve të veçanta operative që u bënë nga shteti shqiptar pati kontakte më diplomatë, autoritete vendas përfaqësues të shtypit e propagandës, miq e dashamirës, aktivistë e shoqata.

Artikujt e botuar në gazetën shqiptare “Zëri i Popullit”, të 8 dhe 23 prillit e 17 majit, të transmetuara nga ATSH që paraqitnin edhe qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar, qenë shpërndarë midis diplomatëve në vende të ndryshme evropiane e botërore nga përfaqësitë diplomatike shqiptare ku qenë të akredituara. Artikujt patën një jehonë të madhe në botë kishin ngjallur interes në trupin diplomatik në Beograd e qenë pritur me interesim edhe nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë e që mjaft diplomatë qenë shprehur pro ose indirekt kundër tyre.

Në Greqi u bë shumëfishimi i materialit dhe filloi shpërndarja në mjetet e informacionit masiv, në Radiotelevizion, në Agjencinë e Lajmeve të Athinës e në redaksitë e gazetave e revistave të Athinës. U morën kontakte me kryeredaktorë, redaktorë e gazetarë. U fol për përmbajtjen e artikullit si dhe materiali u shpërnda në gazetat e revistat e periferisë në rrethet diplomatike etj[29]. Në Turqi, për të gjetur një jehonë sa më të gjerë artikulli i 8 prillit, u morën të gjitha masat për një shpërndarje të gjithanshme dhe meqenëse pjesa dërmuese e emigracionit të hershem shqiptar nga Kosova nuk dininë të lexonin shqip e përkthye në gjuhën turke. Në të njëjtën kohë në bazë të një plani të hartuar, u morën kontakte me shqiptarët duke ju folur atyre mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare si dhe duke ju shpjeguar ndonjë problem që e kishin të pa qartë. Nga ana tjetër, u organizuan filma-koktej ose darka për disa familje nga Kosova[30]. Nga ana e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Austri, qenë marrë të gjitha masat për shpërndarje sa më të gjerë të materialeve e broshurave, duke shfrytëzuar njëkohësisht njohjet me gazetarë e korrespodentë të huaj për të shpejtuar në çështjen e pasqyrimit të qëndrimeve të mbajtura nga Tirana e për të shtrirë materialet në një masë sa më të gjerë në shtresat intelektuale politike e diplomatike[31].

Ambasada e Shqipërisë në Stokholm, që mbulonte vendet skandinave që kur shpërthyen demonstratat në Kosovë në bazë të udhëzimeve të marra nga Ministria e Jashtme e Tiranës, mobilizoi të gjitha forcat e saj në këto drejtime kryesore; a) Të shpërndante sa me shpejt materialet e artikujt e Tiranës; b) Të kontaktonte gazetarë e publicistë për t’i nxitur, shkruar e folur për demonstratat duke i ndihmuar ata me material e sqarime; c) Të aktivizonte shokët diplomatë në mënyrë të veçantë për takime me autoritete vendase e diplomatë të huaj për t’u folur mbi ngjarjet e për të mësuar qëndrimet e mendimet e tyre, etj[32]. Te gjitha këto masa do të kenë efektet e duhura.  Duhet vene në dukje faktin se, shtypi suedez fillimisht në shkrimet e tij paraqet pikëpamjet jugosllave në lidhje me ngjarjet në Kosovë, ku burim kryesor ishte TANJUG. Porsa filluan të botohen e përhapen njoftimet e artikujt e shtypit shqiptar edhe mjetet e propagandës se këtyre vendeve filluan t’i japin publikut më shumë të dhëna mbi demonstratat duke venë në dukje dhe kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës, duke hedhur dritë edhe mbi masat e egra që u morën për shtypjen e demonstratave dhe persekutimin e popullsisë shqiptarë në Kosovë dhe duke bërë të njohur në një fare mase dhe qëndrimet e Shqipërisë në mbështetje të kërkesave të drejta të shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë. Mobilizimi i shtetit shqiptar, ndikoi shumë në plasimin e të vërtetës për Kosovën, duke qene një grusht i fortë kundër propagandës jugosllave në botën nordike, në paraqitjen e ngjarjeve në shtypin nordik sa më objektivisht për Pranverën e vitit 1981. Në ketë shtyp u shkruan rreth 70 artikuj që në përgjithësi paraqitën në mënyrë objektive kërkesat e drejta të shqiptarëve nga Kosova dhe mbështetjen e këtyre kërkesave nga ana e Shqipërisë, duke hedhur njëkohësisht poshtë shpifjet e trillimet e propagandës jugosllave për ndërhyrje të Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë etj.  

Ambasada e Shqipërisë në Argjentinë, në bazë të udhëzimit që kishte marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme, tre artikujt e gazetës së “Zërit të Popullit” për Kosovën, me gjithsej rreth 1600 broshura në spanjisht dhe shqip shpërndau në trupin diplomatik në Buenos Aires dhe Peru, autoriteteve të Ministrisë së Jashtme, Lëvizjes marksiste leniniste të Amerikës Latine, shoqatave të miqësisë me Shqipërinë, organizatave të majta në Amerikën Latine, bibliotekave, organeve të shtypit dhe propagandës, miqve të veçantë etj.[33] Artikujt e gazetës “Zëri i Popullit”, iu qenë dërguar edhe përfaqësive diplomatike shqiptare në Algjer e Dar Es Salam, si dhe udhëzimet përkatëse me radiogram, qarkore dhe porosi të veçanta, materiale të cilat nga përfaqësia qenë shumëfishuar e shpërndarë në vendas, gazetarë, miq dhe diplomatë, si në Algjeri e 14 vende të zonës, në: Marok, Tunizi, Mauritani, Guine, Mali, Niger, Nigeri, Senegal, Benin, Togo, Çad, Guine-Bisao e Ganë[34]. Edhe përfaqësia në Meksikë, materialet i kishte përkthyer në gjuhën spanjolle e riprodhuar në 500 e 600 copë secilin artikull. Si këta artikuj ashtu edhe broshurën përmbledhëse për këtë çështje, menjëherë e kishte shpërndarë dorazi dhe me postë autoriteteve të vendit, funksionarëve të dikastereve të ndryshme, organeve të shtypit, radiove, televizionit, shoqatave e grupeve, Partive dhe Lëvizjeve marksiste-leniniste, trupit diplomatik, agjencive të lajmeve, punonjësve e studentëve të ndryshëm, njerëzve të artit e kulturës si në Meksikë ashtu edhe në vendet e zonës që mbulonte[35].

Artikujt e Tiranës për demonstratat e zhvilluara në Kosovë të cilat qenë shpërndarë edhe midis diplomatëve të vendeve evropiane-lindore nga përfaqësitë diplomatik në shtete të ndryshme ku qenë të akredituara, ato qenë pranuar dhe nuk janë kthyer mbrapsht. Në mjaft raste kishte pasur kërkesa edhe për ekzemplarë të tjerë, të cilat u janë plotësuar. Vetëm, në një rast, ambasadori polak në Budapest i kishte kthyer Ambasadës së Shqipërisë artikullin e “Zërit të Popullit”, të datës 23 prill 1981[36]. Kurse, Vietnamezet i kishin kërkuar edhe zyrtarisht Ambasadës së Shqipërisë që të mos e shpërndajnë artikullin e datës 23 prill në vendas[37]. As, koreanët nuk kishin mbështetur qëndrimin e Shqipërisë. Ndërkohë, për të çuar tek emigrantët shqiptar, qëndrimin e Shqipërisë ndaj demonstratave u intensifikua dukshëm puna propagandistike. Përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në vende të ndryshme të botës shpërndanë rreth 15 000 kopje broshurash, të cilat përmbanin  artikuj e datave 8 e 23 prill dhe 17 maj 1981, të  botuar në gazetën “Zëri i Popullit”. Përveç kësaj forme u dërguan 200-300 copë gazetash shqiptare, me shkrime kushtuar ngjarjeve për Kosovën. Revista “Shqipëria e Re” në gjuhen shqipe e rriti tirazhin në 5 000 kopje dhe ju shtua një separat i veçantë kushtuar problemeve konkrete të viseve shqiptare. Edhe gazeta “Shqipëria sot” botoi shkrimet që flisnin për ngjarjet në Kosovë[38]. Në një informacion të Drejtorisë së IV, i titulluar “Emigracionin Kosovar në Evropën Perëndimore”, i hartuar më 7 shtator 1981 shkruante: “Nga ana jonë në këto vende janë shpërndarë 6 836 copë broshura që u botuan në vendin tonë rreth ngjarjeve në Kosovë, pa llogaritur disa mijëra kopje të artikujve të botuar në “Zëri i Popullit” dhe në shtypin tjetër periodik të cilat u shpërndanë në momentin e daljes nga shtypi”[39].  Në këtë veprimtari propagandistike dhe njohëse për shqiptarët e emigracionit u aktivizuan edhe shoqatat e miqësisë, si: shoqata Peru-Shqipëri e Brazil-Shqipëri, të cilat kishin botuar në formë broshure artikullin e “Zërit të Popullit” të datës 8 prill dhe kishin organizuar aktivitete masive lidhur me ngjarjet në Kosovë[40]. Ndërsa në radhët e shqiptarëve dhe arbëreshëve me banim në Argjentinë, ishte shpërndarë i gjithë kontingjenti i broshurave dhe gazetave të “Zërit të Popullit”[41].

Shoqatat e miqësisë në vendet skandinave gjithashtu u mobilizuan për të shpërndarë informacion në lidhje me ngjarjet në Kosovë dhe për drejtësinë e kërkesave të tyre. Rol të rëndësishëm luajtën sidomos përfaqësitë shqiptare në Suedi, Finlandë e Danimarkë, të cilat shpërndanin revista dhe materiale të tjera për atë që kishte ndodhur në Kosovë. Nga anëtarët e këtyre shoqatave u shkruan disa artikuj. Në Suedi përmes një letre të hapur i bëhej i njohur opinionit suedez e drejta e shqiptarëve të Kosovës. Shoqatat e miqësisë në vendet skandinave kishin zhvilluar shumë aktivitet, aq sa në Finlandë ambasadori jugosllav protestoi në Ministrine e Puneve te Jashtme[42] e në Helsinki kërkoi që të mbahej qëndrim ndaj shoqatës së miqësisë Finlandë-Shqipëri e cila kishte botuar një broshurë mbi ngjarjet në Kosovë. Qeveria finlandeze nuk kishte marrë parasysh atë kërkesë e asnjë mase për ndalimin e broshurës në fjalë, por vetëm kishte njoftuar kryesinë e shoqatës që ajo të vazhdojë botimin e njohurive mbi Shqipërinë e të qëndrimeve shqiptare, por me kujdes që të mos prekeshin vende të tjera që kishin marrëdhënie me Finlandën[43].

Ndërkohë, Shoqata e Miqësisë Danimarkë-Shqipëri, kishte lëshuar edhe një “Komunikatë mbi masakrat në Kosovë-Jugosllavi”[44]. Në këtë Komunikatë ndër të tjera, përshkruhej shtetrrethimi në Kosovë nga organet qeveritare jugosllave, bllokadat e krijuara nga organet qeveritare që gjërat mos të merren vesh, masakrat e organizuara në Kosovë gjatë LDB e gjatë demonstratave të zhvilluara, gjendja e vështirë ekonomike në Kosovë krahasuar me vendet e tjera të federatës jugosllave, qëndrimi i drejtë i Shqipërisë ndaj ngjarjeve të zhvilluara duke mos u cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë e përkrahur me të drejtë kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për të shpallur krahinën republikë në vehte nën kuadrin federatës jugosllave etj. Edhe shoqata e miqësisë Spanjë-Shqipëri, loboi për ngjarjet e zhvilluara në Kosovë dhe qëndrimet e shtetit shqiptar[45].

Qëndrimet e Shqipërisë bënë efektin e tyre në Kosovë, influencuan pozitivisht, sadopak penguan vrullin gjakatar të ushtrisë jugosllave dhe të UDB-së (Unutrasnje Drzavna Bezbednost-Sherbimi i brendshem shtetror), si dhe në një masë bënë që edhe opinioni e diplomacia botërore të dënonin qëndrimet politike dhe veprimet barbare të jugosllavëve në Kosovë. Në këtë kontekst u bëhej e ditur jugosllavëve e më gjerë se shqiptarët janë një komb. Goditja e shtetit shqiptar kundër regjimit jugosllavë ndihmonte aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar.Qëndrimi i mbajtur ndaj ngjarjeve në Kosovë ka pasur rezultate pozitive në shumë drejtime të përgjithshme kombëtare e ndërkombëtare. Tirana rikujtonte botërisht ndarjen e padrejtë të Kosovës nga Shqipëria më 1913, duke iu bërë krah Lëvizjes Kombëtare dhe perspektivës së saj. Kosova e ndarë në tri republika të Federatës jugosllave, pak e njohur nga gazetarët e nga opinioni publik ndërkombëtare, arriti të bëhej si një çështje e njohur botërisht, krahas faktorëve të tjerë edhe në saje të Qeverise shqiptare. Tirana duke demaskuar politiken shoviniste serbe, goditi rendë prestigjin e Jugosllavisë, brenda për brenda saj dhe në arenën ndërkombëtare. Kërkesa e popullit të Kosovës për Republikë e mbështetur fuqimisht nga Shqipëria u bë problem i shtruar për zgjidhje. Qëndrimi i Shqipërisë në përkrahje të kërkesave të popullit të Kosovës u bë një faktor i rëndësishëm inkurajimi për gjithë popullin shqiptar nën Jugosllavi për të forcuar luftën e vendosmërinë drejtë aspiratave të tyre për çlirim kombëtar. Në të njëjtën kohë u rritë edhe prestigji i shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke krijuar kushte për një zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve me vende të ndryshme evropiane e botërore.

I. 3. Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro – jugosllave

Përkrahja e demonstruesve dhe e kërkesës së tyre Kosova Republikë e demaskimi i politikes jugosllave për politiken skllavëruese ndaj shqiptarëve ne Jugosllavi, u prit me zemërim në qarqet jugosllave. Në Jugosllavi, mendohej se Shqipëria do të heshte, duke pasur në konsideratë rrethanat konkrete të zhvillimit të atyre ngjarjeve, që kishin të bënin me vendin dhe rolin e Jugosllavisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, mbetjen e saj pa aleat të madh pas prishjes se marrëdhënieve me Kinën etj. Megjithatë, ngjarjet rrodhën ndryshe. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj politikës serbe[46]. Udhëheqja shqiptare jo vetëm që vlerësoi kërkesat e demonstruesve por dënoi pa mëdyshje dhe me vendosmëri qëndrimin e autoriteteve jugosllave ndaj tyre.

Udhëheqja politike jugosllave fillimisht nuk akuzoi Shqipërinë për demonstratat e zhvilluara, nëse mbështetemi në një intervistë në Rilindje me 07 prill 1981, por edhe në një konferencë shtypi, nga Stane Dollanc*. Ky përjashtoi mundësinë që shteti shqiptar të kishte gisht në ngjarjet e zhvilluara. Dollanci përkujtoi deklaratën e mëhershme të Enver Hoxhës, në të cilën pati thënë se, Shqipëria është shumë e interesuar për pavarësinë, ruajtjen e integritetit dhe pacenueshmërinë e kufijve të Jugosllavisë dhe se Shqipëria është e gatshme të luftojë kundër çdokujt që do të rrezikonte pavarësinë e Jugosllavisë. “Ne shpresojmë se Shqipëria edhe më tutje qëndron në këto pozita. Sepse nëse diçka është e qartë atëherë është e qartë se çdo sulm, çdo rrezikim i Jugosllavisë në çfarëdo mënyre do të dëmtonte po ashtu edhe Shqipërinë, pra edhe kjo në Kosovë dëmton interesat e Shqipërisë”, kishte thënë Dollanci duke shtuar se: “Jugosllavia nuk ka marrë kurrfarë note nga Shqipëria as që mund të thotë se prapa kësaj qëndron qeveria shqiptare”[47].

Me 9 prill agjencia jugosllave e lajmeve Tanjug, reagoi ashpër ndaj artikullit, te shkruar me 8 prill ne gazetën “Zëri i Popullit”[48], e te emituar nga Radio Tirana, duke e cilësuar atë si sulm flagrant ne punët e brendshme te Jugosllavisë,nxitëse të tendencave armiqësore, etj[49]. Sipas organeve jugosllave, ishte Shqipëria ajo që qëndronte mbrapa ngjarjeve në Kosovë, qe nxit luftën në Kosovë, për t’i hapur rrugën asaj për t’u bashkuar me Shqipërinë. Llazar Kolishevski, anëtar i Presidencës së RSF të Jugosllavisë, ndër të tjera ishte shprehur: “…Politika e Shqipërisë dhe veprimtaria e saj propagandistike ndaj Kosovës janë një nga burimet e rëndësishme të euforisë nacionaliste… Në materialet e këshillit të përgatitur për Presidencën janë paraqitur mjaft fakte mbi atë se çfarë veprimtarie propagandistike-subversive ka bërë dhe bënë Shqipëria ndaj Jugosllavisë, e veçanërisht ndaj Kosovës. Artikujt më të fundit në gazetën “Zëri i Popullit” tregojnë qartë se prapa çdo gjëje qëndron qeveria shqiptare dhe Partia e Punës së Shqipërisë…”[50]. Dobrivoje Vidiç, po ashtu akuzoi organet zyrtare të Shqipërisë, për punë informative e ideopolitike lidhur me aktivitetin dhe propagandën politike armiqësore që është bërë nga Tirana, ndaj Jugosllavisë[51]. Ndërkohë, më 8 maj 1981, këshilltari i ambasadës së Jugosllavisë në Tiranë, Spasoje Tuniq gjatë bisedës që kishte pasur me Jovan Antonin, në pritjen e dhënë nga ambasada çekosllovake, kishte thënë se: “Autoritetet jugosllave janë të bindura se në Lëvizjen e Kosovës kanë dorë reaksionarët ballistë e zogistë, që janë njëkohësisht edhe armiq të Shqipërisë. Ata, shtoi ai, nuk janë enveristë, për këtë jemi të sigurt, sepse kemi kapur programin e tyre ku del e qartë lidhja qe ata kanë me reaksionin”[52]

Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme i RSF të Jugosllavisë, përmes një Promemorie i tërhoqi vëmendjen Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë për propagandë dhe aktivitete të tjera nga Shqipëria dhe përfaqësitë e saja diplomatike në lidhje me ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë, që pala jugosllave i çmonte si mbështetje direkte dhe publike të forcave irredentiste, që drejtoheshin kundër integritetit dhe rendit kushtetues të RSF të Jugosllavisë dhe që përfaqësonin akte armiqësore e ndërhyrje të palejueshme në punët e brendshme të saj[53]. Lidhur me këtë çështje, zëvendëssekretari federativ Milorad Peshiq, më 14 maj ftoi ambasadorin shqiptar Sokrat Plaka dhe gjatë bisedës që zhvilluan, i dorëzoi Promemorien e lartpërmendur, duke e porositur që pala shqiptare të vlerësojë me kujdes atëdhe duke i tërhequr vërejtjen edhe gojarisht ambasadorit shqiptar[54].

Sekretari federativ i Punëve të Brendshme, Franjo Hërleviç, po ashtu akuzoi Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ambasadën e saj në Beograd dhe në vende të tjera të botës, si nxitëse të ngjarjeve në Kosovë.[55] Sekretari ne fjale, më 09 qershor 1981 në mbledhjen e Këshillit Federativ të Kuvendit të RSF të Jugosllavisë raportoi mbi gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sipas raportit të tij: “Në KSA të Kosovës është zbuluar organizata ilegale irredentiste e njohur me emrin “Lëvizja kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare”. Kjo organizatë vepron me platformën e Partisë së Punës të Shqipërisë…, një numër i caktuar anëtarësh të “lëvizjes”, janë larguar gjatë viteve në botën e jashtme dhe kanë formuar një organizatë, që mban emrin “Fronti i kuq popullor”…, Në demonstrata dhe në aktivitetet e tjera armiqësore të këtij Fronti, marrin pjesë edhe disa anëtarë të fraksioneve marksiste-leniniste të partive komuniste evropianoperëndimore, të cilët shkojnë herë pas here në Shqipëri, madje qenë të ftuar edhe në kongresin e fundit të Partisë së Punës të Shqipërisë.

Përveç “lëvizjes” së lartpërmendur, vazhdonte Hërleviç, gjatë viteve 1979, 1980 e 1981 është zbuluar edhe ekzistenca e një organizate ilegale që e quan veten “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”. Fjala është për një organizatë, e cila ka të njëjtin qëllim, si edhe “lëvizja” e lartpërmendur-bashkimin e të ashtuquajturave krahina shqiptare në Jugosllavi dhe krijimin e një “Shqipërie të madhe”. Sipas tij, ishin identifikuar 137 vetë.  Hërleviç, më tej kishte shtuar se: “Faktorët zyrtarë të Shqipërisë, shtypi dhe radiotelevizioni i përkrahin dhe i nxisin irredentistët për aksione të reja armiqësore…”[56]. Ndërkohë, bëri të ditur se 154 vetë presin të dalin në gjyq lidhur me demonstratat e vitit 1981 prej të cilëve 29 janë organizatorë të trazirave dhe njerëz të akuzuar se kanë lidhje me shërbimet e zbulimit të Shqipërisë staliniste fqinjë. Më tej në Kuvend tha se autorë të parullave armiqësore janë 46-vetë e 104 vetë janë për qëndrime publike armiqësore ndërsa 506 vetë janë ndëshkuar, rreth 1700 janë arrestuar dhe janë marrë në pyetje nga policia mbas demonstratave, ku u vranë nëntë vetë dhe disa dhjetëra u plagosën[57].

Akuza dhe kritika të ashpra, u adresuan ndaj profesorëve nga Tirana që kishin ligjëruar në Fakultetet e Prishtinës gjate viteve 70-ta, duke ushtruar ndikimet e tyre politike, si të papenguar nga askush. Po ashtu, përdorimi i literaturës së ardhur nga Shqipëria e cila nuk ishte mbikëqyrur më parë, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ndryshme të të dy vendeve shqiptare, etj. Në fund të qershorit, gazeta Rilindja e Prishtinës botoi pjesë nga konferenca e shtypit e Milosh Miniçit, sipas Tanjugu-t, duke e titulluar “Shqipëria zhvilloi politikë të dyfishtë ndaj Jugosllavisë”[58]. Ashtu si më parë u dhanë pjesë ku akuzohej Shqipëria si shkaktar i keqësimit të marrëdhënieve, se Shqipëria është përzier në punët e Jugosllavisë, se ka shfaqur pretendime territoriale, se ka sulmuar rendin kushtetues etj.  Më 22 nëntor 1981, në mbledhjen e KQ të LKJ-së, u aprovua Platforma për Kosovën. Në Platformë, krahas çështjeve të ndryshme të trajtuara për Kosovën, vend të veçantë zuri edhe analiza e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Shqipëria u akuzua përsëri për ndërhyrje në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë e për pretendimet e saja territoriale[59].

Edhe,udhëheqja politike e Kosovës sulmoi ashpër për intriga djallëzore Tiranën[60].  Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës, ne mbledhjen e vet te mbajtur (një dite para deklaratës se S. Dolancit), me 06 prill[61], ndër të tjera u ndal edhe tëveprimtaria dhendikimi i shërbimit informativ dhe propagandës së përgjithshme nga  RP e Shqipërisë, që kishte ndikim tek nacionalistët e irredentistët në vend, si dhe në grupin e “Frontit të Kuqë”. Sipas kësaj mbledhjeje, bindshëm mund të konstatohej që Shqipëria bashkëpunimin e kishte shfrytëzuar për veprimtari subversive e propagandistike e orientuar në nxitjen e nacionalizmit e shovinizmit, shkatërrimin e vëllazërim – bashkimit e nxitjen e irredentizmit… Me koncept të përgjithshëm e parulla që janë shërbyer bartësit e kësaj veprimtarie,  “Një komb –  një shtet” ata kanë shkruar shumë materiale për gjoja se “për shkëputjen e padrejtë të popullit shqiptar nga shteti amë, për okupimin e Kosovës, për situatën e rëndë ekonomike të popullit shqiptar në RSFJ, për padrejtësitë ekonomike, politike e sociale, e shpeshherë me propagandën e tyre e kanë thirrur popullin që të përgatitet për “momentin e duhur dhe vendimtar”, për bashkimin e Kosovës Shqipërisë, duke theksuar se deri te kjo patjetër duhet me ardh.Ky aktivitet subversiv-propagandistik nga RP e Shqipërisë, vlerësohej se përveç mjeteve të saja të informimit, është zhvilluar nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në disa vende perëndimore, nga ambasada e Shqipërisë në Beograd etj.

Në mbledhjen e 99 te Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, të mbajtur me 13 qershor 1981, ne fjalën hyrëse lidhur me vlerësimin e situatës politike dhe të sigurisë në krahinë – Ali Shukrija[62], për rolin dhe ndikimin e shtetit shqiptar ndër të tjera kishte thënë: “…Nga ana e Shqipërisë zhvillohet në mënyrë sistematike dhe intensive propagande armiqësore, përmes shtypit, radios e televizionit, të cilat në Kosovë kanë një shikueshmëri dhe dëgjueshmëri të jashtëzakonshme… Është shumë e intensifikuar propaganda shqiptare sidomos nga përfaqësitë diplomatike në Evropë dhe SHBA e sidomos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.

Në përgjigje të akuzave nga Beogradi dhe Prishtina, Organi i Komitetit Qendror të PPSH-së theksonte se: “Shqipëria nuk kishte ndërhyrë dhe nuk do të ndërhynte në punët e brendshme të Jugosllavisë”, se nuk kishte bërë kurrë rivendikime territoriale”, se “populli shqiptar nuk ishte për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe se do të luftonte krah për krah me popujt e Jugosllavisë, në qoftë se këta atakoheshin, nga kushdo qoftë”[63].

Lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj demonstratave të vitit 1981 dhe qëndrimin ndaj Jugosllavisë, Enver Hoxha shkruan: “Ne nuk kemi gisht në këto demonstrata, ne do t’i mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë deri në fund, ne të drejtat e tyre…, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë as më të voglën ndërhyrje nuk bëri në Kosovë, as tanke, as helikopterë, as policë nuk dërgoi, as shtoi kufitarët, as bateri topash nuk nxori në kufijtë e saj dhe as protestë zyrtare nuk bëri, por një artikull të drejtë, të matur dhe të argumentuar politikisht, ideologjikisht e historikisht…, Shqipëria socialiste ka deklaruar se, në qoftë se ndonjë fuqi e huaj agresore prek kufijtë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, atëherë ajo dhe populli shqiptar do të ngrihen dhe do të luftojnë përkrah popujve të Jugosllavisë”[64]. Sa u përket “të drejtave politike”, ndryshime statusi nga krahina në republikë etj., ato cilësoheshin si çështje të brendshme të popujve të Jugosllavisë, çështje të vetë popullit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, i cili në bazë të ligjeve në fuqi, që rrjedhin nga kushtetuta e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ka të drejtë t’i kërkojë. “Republikën e Kosovës, brenda Federatës Jugosllave nuk e kërkuam ne, e kërkoi populli i Kosovës…, Ne vetëm kemi afirmuar se është një e drejtë e popullit shqiptar, që jeton në trojet e veta në Jugosllavi të kërkojë atë që ai mendon se është e drejta e tij brenda ligjeve të Federatës dhe kemi shtuar se për mendimin tonë kjo nuk përbën asnjë krim”[65].

Partia e Punës së Shqipërisë, mbështeste unitetin e popujve të Jugosllavisë, por ishte kundër “unitetit” të udhëheqjes jugosllave në kurriz të popullit shqiptar në Jugosllavi[66]. Kjo ishte potencuar edhe nga Enver Hoxha, më 9 maj 1981[67], i cili shprehte edhe revoltën e tij më 17 prill 1981: “Si mundet populli shqiptar të mos interesohet për vet gjuhën shqipe, për shkollat, liritë dhe të drejtat e tyre, si mos të interesohet ai për vrasjet në masë, për burgosjet e torturat që u bëhen shqiptarëve në Jugosllavi?[68]. Më 26 prill 1981, Hoxha në Ditarin e tij do të theksonte: “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk është për minimin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, se Shqipëria socialiste nuk ka shfaqur kurrë pretendime territoriale…, Ajo e di që ne nuk kemi gisht në ato që ngjanë në Kosovë, se ajo që ngjau atje ishte rezultat i zemërimit të shqiptarëve të shkaktuar nga vetë jugosllavët, ata e dine se kërkesa për republikë ishte e ligjshme”[69]. Hoxha edhe në raportin që mbajti në Kongresin e VIII të PPSH-së, më 1 nëntor 1981, mbrojti fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, si kërkesë të drejtë dhe të  ligjshme e cila nuk cenonte ekzistencën e federatës jugosllave[70]. Megjithatë, akuzat e ndërsjella ndërmjet dy vendeve fqinjë, për Kosovën, renduan seriozisht marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Akuzat dhe kundër akuzat ndërmjet tyre keqësuan klimën politike e tejkaluan edhe në debate ideologjike rreth ndjekjes së politikave të brendshme dhe të jashtme shtetërore. Pas Plenumit të 10-të, mbajtur në qershor të vitit 1981, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet kulturore, por në fushën e kulturës dhe të arsimit për shqiptarët nën Jugosllavi, ndihma vazhdoi nëpërmjet radios, televizionit, etj[71].


[1] Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1981, dos. 1140/1, f. 230-231. Informacion mujor për muajin prill 1981, nga Ministria e Punëve të Jashtme.

[2] Organ Qendror i Frontit Demokratikë të Shqipërisë.

[3] Ejup Gashi, Bashkimi, 21 mars 1981, Nr. 68, f. 3.

[4] Petrit Skënderi, Bashkimi, 23 mars 1981, Nr. 70 (10 962), f. 3.

[5] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 230-231. Informacion mujor për muajin prill 1981, nga Ministria e Punëve të Jashtme.

[6] AMPJ, viti 1981, dos. 1154, f. 214-216. Udhëzim nga ministri Nesti Nase, Ambasadës së Shqipërisë në Beograd-Sokrat Plaka, 4 prill 1981.

[7] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 230-231. Informacion mujor për muajin prill 1981, nga Ministria e Punëve të Jashtme.

[8] Enver Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 370.

[9] Zëri i Popullit, 8 prill 1981, Nr. 55 (10 196), f. 4.

[10] Zëri i Popullit, 23 prill 1981, Nr. 96 (10 209), f. 3.

[11] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 231-232. Informacion nga Ministria e Punëve të Jashtme për masat që u morën për ndjekjen dhe pasqyrimin e ngjarjeve në Kosovë si dhe për drejtimin e punës së ambasadave.

[12] Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar (më tej: AQSh), Fondi: 14/APOU, viti 1981, dos. 117, f. 40-50. Procesverbal i Mbledhjes së Byrosë Politike, 13 maj 1981.

[13] Po aty, f. 1-39; Zëri i Popullit, 17 maj 1981.

[14] Organ i Komitetit Qendror të PPSH-së.

[15] Zëri i Popullit, 26 maj 1981, Nr. 124 (10 237), f. 4.

[16] Zëri i Popullit, 31 maj 1981, Nr. 129 (10 242), f. 4; Zëri i Popullit, 13 qershor 1981, Nr. 140 (10 253), f. 4.

[17] Zëri i Popullit, 5 qershor 1981, Nr. 133 (10 246), f. 4.

[18] Po aty.

[19] Po aty.

[20] Zëri i Popullit, 7 qershor 1981, Nr. 133 (10 248), f. 4.

[21] Zëri i Popullit, 9 qershor 1981, Nr. 136 (10 249), f. 4.

[22] Zëri i Popullit, 11 qershor 1981, Nr. 138 (10 251), f. 4

[23] Zëri i Popullit, 12 qershor 1981, Nr. 139 (10 252), f. 4.

[24] Zëri i Popullit, 16 qershor 1981, Nr. 142 (10 255), f. 4.

[25] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 455.

[26] AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 130. Relacion, “Qëndrimi i PPSH dhe i RPSH ndaj Jugosllavisë, marrëdhëniet shtetërore dhe ideologjike”.

[27] Sabit Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939-1981,Prishtinë: “Instituti i Historisë”, 2012, f. 257-258.

[28] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 464.

[29]AQSh , Fondi: 14 /APSTR, viti 1981, dos. 28, f. 195. Informacion, Shtypi grek për artikullin e “Zërit të Popullit”, 11 qershor 1981. “Jugosllavia e sëmura e Ballkanit, nxit armiqësinë shqiptaro-greke”, Përgatiti Agur Begaj, Ambasadori Bashkim Dino.

[30] AQSh, Fondi: 14/APSTR, viti 1981, dos. 28, f. 75-80. Relacion i përgatitur nga Konsullata shqiptare e Stambollit më 8 qershor 1981, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së dhe MPJ, në Tiranë. Konsulli i Përgjithshëm, Ali Ymeri.

[31] AMPJ, viti 1981, dos. 1165, f. 142. Relacion i Ambasadës së Shqipërisë në Austri, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Drejtorisë së Jashtme të KQ të PPSH-së, 18 korrik 1981.

[32] Po aty, f. 200-201. Relacion i Ambasadës se Shqipërisë në Stokholm, dërguar Ministrisë se Punëve të Jashtme-Drejtorisë së Dytë në Tiranë, 20 shtator 1981.

[33] Po aty, f. 134.

[34] Po aty, f. 125.Informacion mbi punën e përfaqësive Algjer-Dar Es Salam lidhur me ngjarjet në Kosovë, Drejtoria e Dytë-Sektori i Afrikës.

[35] AMPJ, viti 1981, dos. 1182, f. 78. Relacion nga Ambasada e Meksikës, “Si kanë ndikuar ngjarjet në Kosovë në marrëdhëniet tona me Meksikën dhe me vendet e tjera te zonës”, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme (Drejtorisë së Dytë), Labo Abazi – Meksikë, 25 shtator 1981.

[36] Po aty, f. 50.

[37] Po aty, f. 52-53.

[38]  AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 69-70. Informacion i Drejtorisë IV, 21 qershor 1981, f. 78-79.

[39] Po aty, f. 304. Informacion i Drejtorisë IV, 7 shtator 1981.

[40] AMPJ, viti 1981, dos. 1165, f. 140. Informacion nga Ambasada shqiptare në Buenos Aires, gusht 1981.

[41] Po aty, f. 135. Informacion nga Ambasada shqiptare në Buenos Aires, qershor 1981.

[42] Po aty, f. 121. Radiogram nga Stokholmi nr. 1194, 10 shtator 1981. Drejtoria e II-të, Sektori i Evropës Perëndimore, Tiranë, 14 tetor 1981.

[43] Po aty, f. 202-203. Relacion i Ambasadës së Shqipërisë në Stokholm, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme-Drejtorisë së Dytë në Tiranë, 20 shtator 1981.

[44] AMPJ, viti 1981, dos. 1202, f. 4-7. Në emër të Shoqatës së Miqësisë Danimarkë-Shqipëri, Ole Mielsen, Kopenhagë, 28 prill 1981.

[45] AMPJ, viti 1981, dos. 1218, f. 7. Spanja, aa-Kosova 1981.

[46] Sabit Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 19391981, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2012, f. 356.

* Politikan komunist jugosllav nga Sllovenia, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të presidentit Josip Broz Titos dhe një prej njerëzve më me ndikim në politikën federale jugosllave në vitet 1970 dhe 1980. Sekretari Federal i Punëve të Brendshme nga 1982-84 dhe anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë ne vitet 1984-89.

[47] “Asgje s’mund te na zmbrapse prej detyrave kryesore”, Rilindja, 7 prill 1981, f. 3.

[48] “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?”, Zëri i Popullit, 8 prill 1981, Nr. 55 (10 196), f. 4.

[49] AMPJ, viti 1981, dos. 1151, f. 261-263. Sulm flagrant i “Zerit te Popullit”.  

[50] “Tanjug”, 29 prill 1981.

[51] “Tanjug”, 7 maj 1981.

[52] AMPJ, viti 1981, dos. 987, f. 63-66. Informacion lidhur me bisedën e bërë midis Jovan Antonit dhe këshilltarit të ambasadës se Jugosllavisë Spasoje Tuniq, 8 maj 1981.

[53] Po aty, f. 53-58. Promemorie, RSP e Jugosllavisë, Sekretariati Federativ për Punët e Jashtme, Beograd 14 maj 1981.

[54] S. Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës.., f. 299.

[55] Po aty, f. 300.

[56] AMPJ, viti 1981, dos. 991, f. 12-26. ATSH, Lajme të Jashtme, 10 qershor 1981.

[57] Po aty, f. 17;34.

[58] Rilindja, 26 qershor 1981.

[59] Lefter Nasi, Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë (1981-1986), Tiranë: “Dardania”, 1995, f. 44-47.

[60] N. Malcolm, Kosova një histori e shkurtër…, f. 350.

[61] ASHAK, F. Kryesia e KK të LKK-së, kutia 701, Ocena politicko-bezbednosnog stanja u pokraini, Prishtinë aprill 1981.

[62] ASHAK, F. KK i LKK-s-, d.Predsednishtvo PK SKK, (Strogo poverlivo),,Magnetofonski snimak sa 99 sednice Predsednishtva Pokrainskog Komiteta Saveza Komuniste Kosova, odrzhano 13 juna 1981. (Diskusije uçesnika nisu autorizovane), Prishtinë, 13. Juna 1981. God. Fjala e Ali Shukriut, anëtarë i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Fjalë hyrëse, në mbledhjen e 99 të Kryesisë të KK. të LKK, Prishtinë, më 13 qershor 1981.

[63] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 382; 490.

[64] Po aty, f. 398-399.

[65] Po aty, f. 389-390; 433-434.

[66] “Kërkesa për t’i njohur Kosovës statusin e republikës është e drejtë”, Zëri i Popullit, 17 maj 1981, f. 2-4.

[67] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 446-47.

[68] Po aty, f. 388; 390.

[69] Po aty, f. 412.

[70] Enver Hoxha. Nga “Raporti në Kongresin e 8-të të PPSH”, K. Prifti e të tjerë,E vërteta mbi Kosovën…, f.616-623.

[71] E. Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare…, nr. 13, f. 541.