23:33 / E Diele, 23 Janar 2022 / GF

Qentë endacak vazhdojnë të rrezikojnë qytetarët edhe në qendër të Prishtinës

Qytetarët e Prishtinës edhe këtë dimër po rrezikohen seriozisht nga qentë endacak. Ata janë shumuar aq shumë sa që bredhin lirshëm edhe në qendër të Prishtinës.

Një nxënëse që ishte sulmuar nga qentë endacak me 14 janar të këtij viti kishte përfunduar në emergjencë.

Vogëlushja thotë për RTK-në se ndjehet e frikësuar dhe e traumatizuar, por shpreson të jetë viktima e fundit e qenve.

Qytetarët shprehin shqetësimet e tyre pasi qentë tashmë janë me shumicë edhe në sheshet e Prishtinës.

“Ka rrezik pasi ata e duan ushqimin. Komuna apo shteti duhet të kujdeset për këtë gjë”, deklaron një qytetar i Prishtinës.

Një tjetër qytetarë thotë se duhet të bëhet regjistrimi i qenve dhe vendosja në një vend të sigurt.

“Asnjëherë nuk ka pasur aq shumë qen endacak në Prishtinë”, deklaroi i moshuari.

Për këtë çështje kryetari i Prishtinës, Përparim Rama thotë se qysh në ditët e para që ka marrë mandatin është marrë me problemin.

Ai thotë se të martën ka nënshkruar kontratën që merret me trajtimin e qenve në disa faza.

Derisa Lamir Thaçi nga Agjencia e Veterinës thotë se te gjitha komunat duhet në mënyrë uniforme të trajtojnë qentë endacak.