11:00 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Qeveria deklarohet për projektligjin e Ushtrisë që iu dorëzua dje

Ministria e FSK-së ka dorëzuar në Qeveri projektligjin për formimin e Ushtrisë. Por, se kurky projektligj do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, varet nga vendimi i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në një përgjigje për Indeksonline, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka bërë të ditur se dërgimi i draftligjit në Kuvend është çështje procedurale.

“Sa i përket pakos së ligjeve për FSK-në, është e vërtetë që ajo ka arritë në Qeveri. Por, çështja e draftimit të ligjeve nga ministritë përkatëse dhe dërgimit në Qeveri është çështje procedurale, ndërsa se kur Qeveria i trajton ato draftligje është vendim politik dhe Qeveria e informon publikun me kohë”, ka thënë Gashi.

Ndryshe,faktori ndërkombëtarë ka kërkuar që formimi i Ushtrisë së Kosovës të ndodhë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese. Për të njëjtin aspekt janë deklaruar edhe deputetët e Listës Serbe, ndonëse ende nuk kanë vendim të prerë rreth kësaj çështje. Kjo, meqë këta të fundit kanë thënë se nuk do lejojnë formimin e Ushtrisë.

Po ashtu, krerët e Serbisë së fundmi kanë bërë të ditur se secili serb që do i bashkohet Ushtrisë së Kosovës, do të burgoset.

Se kjo çështje mund të përfundojë me ndryshim të ligjit, kishte deklaruar presidenti Hashim Thaçi, gjë që ishte përkrahur nga përfaqësuesit e popullit. Mirëpo, qëndrimi i palëkundur i ndërkombëtarëve që kjo të ndodhë me ndryshim të amandamenteve të Kushtetutës, ka bërë që kjo gjë të mos procedojë më tutje./Indeksonline/