22:25 / E Hënë, 16 Gusht 2021 / OSH

Qeveria e Kosovës merr vendim për strehimin e qytetarëve të Afganistanit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sot në mbledhjen e Qeverisë ka propozuar votimin e vendimit për mbrojtjen e përkohshme dhe të menjëhershme të qytetarëve afgan.

Sveçla në postimin e bërë ka shkruar këta qytetarë afgankanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane në Afganistan, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e sotme të qeverisë kam

propozuar votimin e vendimit për nevojën e ofrimit të Mbrojtjes së Përkohshme dhe të menjëhershme nga Republika e Kosovës, për qytetarët afgan të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane në Afganistan si dhe për familjarët e tyre.

Ky vendim, nisur përveç nga fryma e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është njëherësh edhe një përpjekje e Republikës së Kosovës të ofrojë ndihmën e saj duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare për ofrim të ndihmës kategorisë së personave të cilët gjenden apo mund të gjenden në rrezik, u janë shkelur të drejtat themelore për arsye të luftës dhe konfliktit në Afganistan.

Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezentuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për ekzodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mirë.

Ky vendim, i hap rrugë kësaj kategorie për një vend ku do të qëndrojnë përkohësisht, të sigurt, të gëzojnë të gjitha të drejtat themelore sipas legjislacionit tonë si dhe përkrahjen institucionale deri në krijimin e një zgjidhjeje afatgjate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo përpjekje për të shpëtuar jetë, është detyrim moral i vendit tonë, dhe parim njerëzor të cilit po i jepet karakter institucional si dhe është bashkëpunim i pandërprerë me shtetin amerikan, si aleat në këtë proces dhe në të gjitha proceset e rëndësishme të zhvilluara në Kosovë.

/Indeksonline/