11:52 / E Mërkurë, 22 Mars 2023 / mp

Qeveria e mbylli vitin me 2.6 miliardë euro të hyra

Në mbledhjen e Qeverisë është miratuar ekzekutimi i buxhetit për vitin 2022. Hekuran Murati ministër i Financave dhe Transfereve, ka thënë se sa i përket vitit të kaluar dhe përmbylljes fiskale se gjithsej pranimet e regjistruara gjatë vitit 2022 përfshirë edhe fondet në mirëbesim të hyrat e bartura dhe nga donatorët janë në shumën prej 2 miliardë e 628 milionë euro.

Sipas tij , këto të hyra paraqesin 87 % të pranimeve të përgjithshme vjetore të planifikuara, ndërsa krahasuar me realizimin e vitit paraprak ai tha se ka rritje prej 6 %.

“Gjithsej pagesa të realizuara në anën tjetër gjatë vitit 2022 përfshirë fondet në mirëbesim të hyrat e bartura dhe donatorët janë 2 miliardë e 625 milionë euro dhe paraqesin 83 % të pagesave të përgjithshme vjetore të planifikuara. Ndërsa krahasuar me realizimin e të hyrave të vitit paraprak ka një rritje prej 10 % “, tha Murati në mbledhjen e Qeverisë.

Ai po ashtu ka treguar se bilanci i fondeve bruto më 31 dhjetor të vitit të kaluar ishte 445.73 milionë euro , ndërsa saldo fillestare e fondeve të buxhetit në fillim të vitit kishe qenë 442.18 milion euro.

 “Nga kjo që shihet mund të thuhet që kemi pasur një buxhet të balancuar në anën tjetër është ruajtur edhe niveli i njëjtë i bilancit bankar. Sa i përket bilancit bankarë duhet po ashtu të specifikohet që ka dallim mes bilancit bruto 445 milion euro dhe atij neto që është i shfrytëzueshëm për qeverinë e Kosovës i cili në fund të vitit 2022 ishte 285.82 milionë euro. Pra ky bilanc neto nuk përfshinë në vete të hyrat vetanake të bartura të komunave si dhe mjetet të tjera të cilat kanë dedikim specifike. Pra kur flitet për bilancin bankarë neto mund të thuhet se ky ishte në vlerën prej 285.82 milionë euro dhe ka qenë me rregullën e plotë fiskale të bilancit bankarë dhe planifikimit buxhetor”, tha Murati.

/IndeksOnline/