15:16 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Qeveria emeton për herë të dytë obligacione me maturitet 7-vjeçar

Bazuar në kalendarin vjetor të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Kosovës për vitin 2017, Ministria e Financave informon se ka emetuar për herë të dytë Obligacione me maturitet 7-vjeçar.

Emetimi i suksesshëm i obligacioneve me maturitet më të gjatë shënon zhvillim të mëtutjeshëm të tregut të letrave me vlerë, që është njëherësh edhe objektiv i Ministrisë së Financave.

Ankandi për emetimin e Obligacioneve 7 vjeçare u mbajt më 29 nëntor 2017, përmes ri-hapjes së ankandit të parë të shitjes së obligacioneve 7-vjeçare.

Shuma nominale e obligacioneve të emetuara në këtë ankand ishte 10,000,000 euro, përderisa tregu shfaqi kërkesë prej 12,600,000 euro.

Për informacione më të hollësishme rreth pjesëmarrjes së mundshme në ankandet e ardhshme për blerjen e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës, qytetarët luten të kontaktojnë ndonjërën nga bankat komerciale në Kosovë.