12:53 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Qeveria i reagon zv/ministrit Dedaj: Gjuha juaj e papranueshme!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka reaguar zëvendësministrit të MPJ-së Gjergj Dedaj lidhur me deklaratat e tij ndaj komunitetit turk.

Haradinaj ka thënë se deklarimet më përmbajtje fyese ndaj Turqisë janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar apo kushdoqoftë tjetër.

I pari i Qeverisë është  shprehur se deklarimet e tilla nuk paraqesin as dëshirën e Qeverisë dhe as të popullit të Kosovës për ruajtjen e marrëdhënieve të mira që ka Kosova me Turqinë, transmeton Indeksonline.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër.

Këto deklarime, nuk paraqesin as dëshirën e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për ruajtjen e marrëdhënieve tashmë tradicionalisht të mira që ka Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë dhe popullin turk!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, deputetët e Grupit Parlamentar 6+kanë kërkuar që të shkarkohet zëvendësministri  Dedaj, i cili sipas tyre, ka fyer komunitetet që jetojnë në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Në kërkesë 6+ kanë vlerësuar se deklarimet e Dedajt mund të shkarkojnë përqarje të madhe si dhe të sjellin probleme ndëretnike sidomos të komunitetit serb./Indeksonline/