09:50 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Qeveria insiston, vizat hiqen shumë shpejt

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pati deklaruar se në fund të vitit do të dihet se kur hiqen vizat për qytetarët e Kosovës.

Por tashmë kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të vitit 2017 e kosovarët vazhdojnë të mos kenë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, madje as një afat të caktuar se deri kur do të ndodhen në një situatë të tillë.

Indeksonline ka kontaktuar me Qeverinë e Kosovës të cilët kanë bërë të ditur se liberalizimi i vizave do të ndodhë më shpejtë se sa janë pritjet e pesimistëve.

“Qeveria Haradinaj është duke punuar intensivisht, sipas dinamikës shtatë ditë në javë dhe 12-16 orë në ditë me fokus zbatimin e ligjeve, vendimeve dhe kritereve që burojnë nga Agjenda e Reformave Evropiane dhe me theks të veçantë zbatimin e plotë të MSA-së si marrëdhënie kontraktuale e Kosovës dhe BE-në, si dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat për BE-në më 2018”, ka thënë Halil Matoshi, nga Zyra për Media e Qeverisë.

Sipas tij çështja e demarkacionit nga qeveria e tanishme është duke u përshpejtuar si proces pasi kishte stagnuar që nga viti 2014, si pasojë e qeverisjes së kaluar.

“Qeveria e Kosovës e ka përshpejtuar procesin e adresimit të çështjes së demarkacionit me Republikën e Malit të Zi duke lëvizur përpara me veprime konkrete sepse në mungesë të performancës së Qeverisë së kaluar kjo çështje ka stagnuar që nga viti 2014”, ka shtuar Matoshi, shkruan Indeksonline.

Po ashtu sipas Matoshit, Qeveria tashmë ka krijuar kushte që  pushtetet të funksionojnë sipas mandatit, sidomos sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Liberalizimi i vizave do të ndodhë sa më shpejtë se sa janë pritjet e pesimistëve”, ka përfunduar Matoshi.

Duhet përkujtuar që liberalizimi i vizave vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me çështjen e demarkacionit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të trija këto çështje që vazhdojnë të jenë në procedim e sipër./Indeksonline/