14:36 / E Enjte, 27 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Qeveria s’ka dërguar ende asnjë projektligj, në Kuvend

Në Komisionin për Integrime është miratuar sot unanimisht draft-plani i punës për vitin 2020, megjithatë që në fillim anëtarja e këtij komisioni nga radhët e PDK-së Blerta Deliu-Kodra u shpreh se është për keqardhje që Qeveria e re nuk ka proceduar për shqyrtim ende asnjë projektligj në Kuvend.

Deputetja Deliu-Kodra kërkoi program dhe punë nga qeveria e re, pasi sipas saj edhe nevojat e qytetarëve janë të mëdha.

“Është për keqardhje që Qeveria nuk ka sjell ende asnjë projektligj në Kuvend. Ne po i bëjmë një muaj të funksionimit të Kuvendit si institucion. Ky komision nuk ka trajtuar ende asnjë projektligj të Qeverisë dhe kjo është për keqardhje. Qeveria duhet ta fillojë punën dhe duhet që ky komision në bazë të mandatit ta kryejë edhe detyrën vet që është miratimi i ligjeve. Ne sot takohemi për të diskutuar planin, por nuk kemi asnjë projektligj të Qeverisë që ky komision do të duhej ta trajtonte”, tha Deliu-Kodra.

Por, anëtarja tjetër e komisionit, Fitore Pacolli nga VV, kërkoi nga Qeveria Kurti të mos ngutet në lidhje me nxjerrjen e ligjeve të reja dhe t’i jepet kohë kësaj të fundit për punë më efikase se qeveritë e kaluara.

Duke folur për planin e punës së komisionit, Pacolli tha se është i mirë për fillim, por sipas saj, ka mundësi që të shtohen edhe tema të tjera.

Pacolli mendon se komisioni përveç mbikëqyrjes dhe liberalizimit të vizave, e ka për detyrë të shtyjë tutje edhe procesin e integrimit, pasi që janë pesë shtete të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.

“Sa i përket projektligjeve që ishte dashur me i sjellë Qeveria, unë s’pajtohem këtu. Qeveria gjatë mandatit të kaluar dhe mandateve të tjera nëse i analizojmë raportet e progresit të BE-së, nuk ka raport që nuk ka vërejtje se ministritë dhe Qeveria ka bërë kalim të ligjeve në procedurë të përshpejtuar. Qeveria që tani është në funksion dhe të gjitha ministritë dhe ministrat relevant janë duke punuar shumë që të sjellin këtu projektligjet të cilat janë të rëndësishme për qeverisjen e këtij vendi. Ne duhet t’iu japim kohë për projektligje, të mos ngutemi, sepse nuk është duke na ikë asgjë. Ne kemi plotë ligje që janë miratuar dhe janë në fuqi, mirëpo nuk respektohen”, theksoi Pacolli.

Lidhur me qëndrimet deputetes Pacolli, Haxhi Shala, anëtar nga radhët e Nisma-s, tha se askush në komision nuk duhet të marrë rolin e zëdhënësit të Qeverisë.

“Zonja deputete kërkoj që mos të bëhemi zëdhënës të Qeverisë, s’e nuk kemi nevoje, sepse ne jemi në mbikëqyrje të Qeverisë dhe nëse ju vazhdoni kështu, atëherë do të kemi përplasje brenda Komisionit pozitë-opozitë që nuk na çon deri te më e mira për vendin. Sa i përket draftit, drafti është i mirë, presim plotësimin e tij me planin e qeverisë”, theksoi Shala.

Kryetari i Komisionit për Integrime, Armend Zemaj nga radhët e LDK-së, duke kërkuar që të ndalet debati mes këtyre deputetëve për punën e qeverisë, bëri të ditur se më 3 mars është i ftuar në komision, ministri i Integrimeve Evropiane Blerim Reka për prioritet dhe agjendën evropiane.

“A e lëmë këtë pjesën e debatit Fitore… Ky është një d raft shumë më ndryshe nga ato që ka hartuar Kuvendi sidomos në këto dhjetë vitet e fundit. Është plotësisht i ri, është forma e re, struktura dhe përmbajtja. Nëse e lexoni, të gjitha këto që i thatë janë të përfshira, ndoshta edhe janë edhe për tej mundësive tona për t’i arritur këto rezultate. Nëse doni mund t’i lexojmë një nga një dhe i arsyetojmë edhe ato dy tre elementet që ju i ngritët, qoftë për atë që e tha Gazmendi (Gjyshinca) rreth mbikëqyrjes së legjislacionit, Fitorja (Pacolli) për aktivitet me vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por edhe Blera(Deliu Kodra) e cila theksoi që akoma nuk kemi legjislacion në Kuvend. Ne e presim agjendën legjislative”, deklaroi Zemaj.

Edhe deputetët e tjerë në këtë komision dhanë mbështetje këtij plani të punës të paraqitur nga kryetari Armend Zemaj.