14:34 / E Hënë, 04 Korrik 2022 / LB

Qeveria vendos një rregull në gastronomi: Nuk mund t’ia ndaloni klientëve ujin e pijshëm

Qeveria e Kosovës ka miratuar rregulloren për furnizim me ujë të pijshëm në objektet e gastronomisë, e cila parasheh që të gjithë klientët të kenë qasje në ujë të pijshëm në restorante, kafene dhe bare.

Sipas rregullores së miratuar sot, asnjë lokal i gastronomisë nuk mund t’ia heqë klientëve të drejtën nga uji i pijshëm.

Përcaktimin e rregullave për furnizim me ujë të pijshëm në objektet e gastronomisë e ka prezantuar ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në mbledhjen e sotme të qeverisë, raporton Paparaci.

“Do të vendosim standardet normative për cilësinë e ujit për konsumin njerëzor dhe në mënyrë që të mbrohet shëndeti i njerëzve, që të sigurohemi se ai të jetë i shëndetshëm dhe i pastër edhe në sektorin e gastronomisë”, tha ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Në rast se objekti furnizohet me ujë nga ujësjellësi publik, pronari i objektit nuk mund t’i ndalojë klientët të shërbehen nga uji i rubinetit”, thuhet në rregulloren të cilën e ka cituar ministri Latifi.

“Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet se furnizohet nga uji i puseve, pronari i objektit obligohet të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë së ujit dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK-ja dhe këtë certifikatë ta ekspozojë në lokal”, ka vijuar Latifi.