16:03 / E Enjte, 05 Tetor 2017 / indeksADMonline

Qeverisë i kërkohet ta shqyrtojë propozimin për pension të viktimave të luftës

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKMRT) ka kërkuar që të caktohet shuma e pensionit personal në lartësi prej 250 euro për personat e dhunuar gjatë luftës.

Kërkesa i është adresuar sot ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Kjo kategori e luftës është e vetmja që nuk gëzon pension sikurse ka ndodhur me kategoritë tjera; invalid civil, familje të dëshmorëve…

“Zëri” ka siguruar një kopje të kësaj shkrese dërguar ministrit ku kërkohet që në mbledhjen Qeverisë që do të mbahet nesër  të paraqitet dhe propozimi për caktimin e pensionit personal për personat e dhunuar gjatë luftës në lartësi prej 250.00 euro.

Gazeta ka kontaktuar me Feride Rushiti drejtoreshë ekzekutive e QKMRT-së e cila ka bërë të ditur se qëllimi i kërkesës ka të bëjë që ky propozim të aprovohet nga Qeveria dhe të vazhdohet me zbatimin e vendimit të qeverisë që të fillohet me procesin e njohjes dhe verifikimit të këtij statusi.

“Pas Vendimit të Qeverisë Nr.11/04 të datës 22.09.2017, për ndarjen e buxhetit në shumë prej 200,000.00 euro për procesin e njohjes dhe verifikimit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, tani duhet të caktohet shuma e pensionit personal për këtë kategori, në mënyrë që të fillohet me procesin e njohjes dhe verifikimit të këtij statusi. Prandaj kemi kërkuar nga ana e ministrit që të propozimi për caktimin e pensionit personal për personat e dhunuar gjatë luftës në lartësi prej 250.00 euro, të dal në mbledhjen e qeverisë”, ka thënë Rushiti.

Shumë gra në Kosovë viktima të luftës po përballen me gjendje të rëndë ekonomike në mungesë të përkrahjes institucionale. /Zëri.

Teksti i plotë i kërkesës:

I nderuari Ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica,

Pas Vendimit të Qeverisë Nr.11/04 të datës 22.09.2017, për ndarjen e buxhetit në shumë prej 200,000.00 EUR për procesin e njohjes dhe verifikimit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, tani duhet të caktohet shuma e pensionit personal për këtë kategori, në mënyrë që të fillohet me procesin e njohjes dhe verifikimit të këtij statusi.

Andaj kërkojmë nga ana e juaj që në Mbledhjen Qeverisë, e planifikuar për dt. 06.10.2017, të paraqitni propozimin për caktimin e pensionit personal për personat e dhunuar gjatë luftës në lartësi prej 250.00 EUR, në mënyrë që ky propozim të aprovohet nga Qeveria dhe të vazhdohet me zbatimin e Vendimit të Qeverisë të datës 22.09.2017.

Vetëm një shumë solide prej jo më pak se 250 EUR dot tju mundësoj të mbijetuarve të jetojnë një jetë sadopak dinjitoze dhe të mbulojnë shpenzimet ditore. Ju faleminderit për konsideratën dhe bashkëpunimin tuaj!

Me respekt,

Feride Rushiti Drejtoreshë Ekzekutive në QKRMT