19:02 / E Enjte, 14 Prill 2022 / MSH

Qindra kosovarë presin me orë në aeroportet ndërkombëtare, akuzojnë për mashtrim kompaninë e fluturimit

Disa qytetarë nga Diaspora janë ankuar se kompania “PrishtinaJet” është duke mashtruar me fluturime.

Për një rast të tillë, Indeksonline kishte raportuar edhe në fund të vitit të kaluar.

“PrishtinaJet” kishte arsyetuar veprimet e saj, duke thënë se në fakt faji u takonte agjencive që shesin bileta online.

“Anulimet nuk kanë të bëjnë aspak me kompaninë, por kanë ndodhur për shkak të agjencive që shesin bileta online (Online Travel Agency – OTA) të ndryshme. Sistemi funksionon asisoj që një udhëtar e blen biletën nëpërmjet këtyre agjencioneve, pastaj agjencioni i transferon mjetet tek Prishtina Jet në periudha të caktuara kohore” deklaronte PrishtinaJet aso kohe.

Ndërkohë, i njëjti rast dyshohet të jetë perseritur.

Qindra kosovarë kanë ngelur duke pritur në aeroportet e Zvicrës dhe Gjermanisë pikërisht për shkak të anulimeve të fluturimeve që nga dita e djeshme.

Me plot bagazhe dhe të lodhur, pritja e tyre është duke zgjatur me orë të tëra.

Indeksonline ka tentuar të kontaktojë kompaninë përgjegjëse “PrishtinaJet” duke telefonuar në numrat kontaktues dhe duke dërguar pyetje, por nuk ka marrë përgjigje./Indeksonline/