12:08 / E Shtunë, 24 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Qindra miliona euro të investuara nuk e nxorën Kosovën nga kriza energjetike

Qindra miliona euro llogariten investimet që janë realizuar në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, që nga viti 2013 kur edhe është privatizuar rrjeti kosovar i shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike nga konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak”.

Vjetërsia e termocentraleve vazhdimisht është përmendur si arsye kryesore e mungesës së këtij produkti që prodhohet në këtë korporatë.

Vetëm nga buxheti vetanak i KEK-ut, pas privatizimit, thuhet se janë investuar 76 milionë euro në dy termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Skënder Bucolli, zyrtar për informim në Korporatën Energjetike të Kosovës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Termocentralin “Kosova B”, investimet janë bërë kryesisht në gjenerator dhe pompat furnizuese me avull.

“Kurse, investime me vlera më të mëdha janë realizuar në Termocentralin ‘Kosova A’, kryesisht në pjesët që kanë pasur për qëllim rritjen e performancës dhe zvogëlimin e ndotjes së ambientit”, thotë Bucolli.

Nuk është vetëm kjo shumë e investimeve që janë bërë në këto termocentrale. Më herët nga zyrtarë të KEK-ut, është thënë se që nga viti 2003 e deri në vitin 2016, më shumë se 400 milionë euro janë investuar në këto dy termocentrale, kurse nuk dihet se sa është vlera e donacioneve.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se që nga përfundimi i luftës janë investuar mbi 1.2 miliardë euro në sektorin e energjisë.