15:48 / E Martë, 31 Janar 2023 / S Z

QIPS kërkon dhe nga Arenliu shkarkimin e Iljasa Fazliut dhe hetim të Komisionit Disiplinor

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social i ka kërkuar sot ud.drejtoreshës së SHSKUK-së Narqize Hoxhaj-Arenliu, që ta shkarkoj Iljasa Fazliun si dhe ta hetoj komisionin disiplinor, i cili nuk mori masa ndaj logopedit.

“QIPS, me rastin e abuzimit të fëmiut nga Iljasa Fazliu ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe hetimin e komisionit disiplinor me anë të një ankese drejtuar drejtores së ShSKUK, Dr. Narqize Hoxhaj-Arenliu. Me anë të kësaj ankese është njoftuar gjithashtu Inspektorati Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë. Ne presim gjatë kësaj jave një përgjigje ndaj ankesës tonë, e cila duhet të rezultojë në shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut pasi që ai paraqet rrezik për shëndetin publik”, thuhet në ankesë.

Sipas QIPS vendimet të cilat normalizojnë dhunën dhe amnistojnë abuzuesit në institucione publike, nuk duhet të pranohen.

“Vendime të cilat normalizojnë dhunën dhe amnistojnë abuzuesit në institucione publike nuk duhet të pranohen, rrjedhimisht çdo përgjigje e cila nuk rezulton në shkarkimin e Iljasa Fazliut është e pa pranueshme. Ne shpresojmë se ankesa do të adresohet së shpejti. Në rast se ShSKUK dështon në përgjegjësinë e saj për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, ne do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Iljasa Fazliut në forma tjera”, thuhet në ankesën e QIPS, drejtuar u.d Drejtoreshës së SHSKUK-së Narqize Hoxhaj-Arenliu./IndeksOnline/