10:12 / E Hënë, 01 Shkurt 2021 / OSH

QKRMT, dënon dhunën e përdorur nga zyrtari policor ndaj 18 vjeçarit

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve  të Torturës (QKRMT) dënon dhunën policore ndaj tetëmbëdhjetëvjeçarit në ambientet e Stacionit policor në Prishtinë

“Në përputhje me mandatin  e saj në parandalimin e torturës, mbrojtjen dhe respektimin e te drejtave të njeriut, si dhe vlerësimin e sjelljeve të Policisë së Kosovës në raport me personat e ndaluar apo të arrestuar, QKRMT-ja, dënon veprimet e dhunshme të pjesëtarit të Policisë së Kosovës ndaj një tetëmbëdhjetëvjeçari në ambientet e Stacionit policor -Qendra, në Prishtinë në vitin 2018”, thekson komunikata

QKRMT-ja, shpreh shqetësimin për faktin se edhe në të kaluarën është raportuar për përdorim të forcës apo keqtrajtim fizik të të arrestuarve dhe ndaluarve nga Policia e Kosovës dhe organet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar dhe zbardhur këto raste. Raportimet e QKRMT-së për këto raste janë shoqëruar edhe me evidenca mjekësore për lëndime trupore të të arrestuarve.

“QKRMT-ja i sheh këto veprime të Policisë së Kosovës si krejtësisht të panevojshme, të ndëshkueshme dhe absolutisht të papranueshme. Bazuar në vlerësimet e QKRMT-së, këto sjellje përbëjnë keqtrajtim të personave të arrestuar dhe të privuar nga liria, trajtim jonjerëzor, degradues dhe poshtërues. Përtej situatës që ka quar në arrestimin dhe ndalimin e viktimës, veprimet e tilla të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj të arrestuarit janë të ndaluara dhe të ndëshkueshme, në pajtim me legjislacionin vendor dhe instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të aplikueshme në Kosovë”, nënizon komunikata

Kjo qendër në një situatë të tillë kërkon nga prokuroria dhe gjykata kompetente, që në kuadër të autorizimeve ligjore të veprojnë sa më shpejt për gjykimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve policorë të shfaqur në videot e publikuara në media, gjatë keqtrajtimit të tetëmbëdhjetëvjeçarit në Stacionin policor, në Prishtinë më 2018.

Mos i humb