10:23 / E Shtunë, 20 Maj 2023 / A. M.

QUINT-i i bën thirrje qeverisë ta zbatojë urgjentisht vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Vendet e QUINT-it, në 7-vjetorin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastrin e Deçanit, kanë përsëritur thirrjen e tyre dretjurar Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e kësaj gjykate për regjistrimin e tokës së këtij manastiri.

Sipas QUINT-it, këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, kjo nuk është zbatuar ende, shtatë vjet më vonë.

“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian përsërisin thirrjen për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit. Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk është zbatuar ende shtatë vjet më vonë”, thuhet në deklaratë.

QUINT-i tha se janë të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejmë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet tutje.

Sipas këtij misioni, vonesat e mëtejme janë vetëm pengesë për përparimin e vendit.