20:14 / E Enjte, 26 Nëntor 2020 / B H

Qumështorët e Kosovës do të mbajnë protesta masive, do të derdhin qumështin para AVUK-ut

Shoqata e Qumështorëve të Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se përsëri do të protestojë pranë Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ku do të derdhin dhe qumështin si shenjë pakënaqësie.

“Këshilli koordinues i fermerëve, pikave grumbulluese dhe disa përpunuesve në takimin e mbajtur sot, analizoj gjendjen momentale në Industrinë e Qumështit. Nga faktet e prezantuara rezulton  se gjendja vazhdon të jetë shumë e rëndë dhe e pa kalueshme”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.

Ata kanë bërë të ditur se diskutimet në Parlamentin e Kosovës me komisionin  parlamentar ishin serioze dhe përmbajtjesore , por ato nuk dhanë asnjë rezultat, sepse nuk kishte asnjë veprim konkret për të tejkaluar problemet .

“AUV nuk ndërmori asnjë veprim të vetëm për të ndaluar prodhimet mashtruese dhe shumë të dëmshme me Vaj Palme, qoftë nga importi apo vendore. Qeveria e Kosovës përveç premtimeve se do i ndihmojë prodhuesit dhe përpunuesit vendorë të Qumështit nuk ndërmori pothuajse asgjë në drejtim të ndalimit të prodhimeve mashtruese”, thuhet tutje në reagim.

Shoqata e Qumështorëve ka vënë në pah se Ministria e Tregtisë në anën tjetër e shfuqizoi vendimin që kishte sjellë pak më herët për ndalimin e importit të prodhimeve të ashtuquajtura të Qumështit me Vaj Palme, qoftë nga importi apo vendore.

“Të ndodhur para një situate të tillë, këshilli koordinues mori vendim që të fillohet me përgatitjet për protestë masive, e cila fillimisht do të mbahet pran zyrave të AUV -s e shoqëruar me derdhje Qumështi .

Shoqata ka bërë të ditur se Këshilli Koordinues u dakordua që para mbajtjes së protestave të diskutojë edhe një herë me institucionet relevante dhe përgjegjëse, për të gjetur zgjidhje në mënyre që të shmanget kapitullimi i  Industrisë së Qumështit .