15:06 / E Diele, 27 Shtator 2020 / indeksADMonline

Qytetarët kanë një javë kohë për shlyerje të borxheve ndaj Termokosit

Termokos-i është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për sezonin e ri të ngrohjes, i cili do të fillojë më 15 tetor. Ndërkohë, borxhlinjët e kësaj ndërmarrje paralajmërohen se kanë kohë një javë për shlyerje të borxheve.

Zëdhënësja e Termokos-it, Aferdita Uka ka thënë se janë evidentuar edhe problemet që ishin paraqitur në sezonin e fundit, në ndonjërin prej objekteve banesore.

“Kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri, sezonin e ardhshëm ngrohës, pra 2020-2021. Tani jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimi e këtij sezoni, gati se ka marrë fund edhe pastrimi në stacionin e ngrohjes, këtu që shpërndan ngrohje tek konsumatorët tanë, dhe tek nen stacionet ngrohëse nëpër objektet banesore kudo që është paraqitur ndonjë problem gjatë sezonës së fundit ngrohëse”, ka thënë Uka.

Uka ka thënë se për herë të parë në rrjetin e ngrohjes do të kyçen Teatri Kombëtar, Ministria e Kulturës, Shkolla “Xixëllonja”, shkolla “Mentor Bajraktari. Për pak ditë pritet të mbulohet edhe vendi ku janë vendosur gypat e rinjtë, ku janë ndërruar me gypat e vjetër që kanë qenë që nga funksionimi i ngrohtores qendrore që ka qenë që nga vitet e 70-ta, pra është një rrjet gati i stërvjetëruar, dhe janë vendosur gypa të ri me standarde ndërkombëtare nga kompania e kontraktuar e Komisionit Evropian, është pra një rrjet i ri i ngrohjes për Fakulteti Filologjik, Fakulteti Filozofik, Biblioteka Kombëtare, Rektorati e Universitetit të Prishtinës, komunën dhe disa institucione tjera.

Ajo ka thënë se sezoni i ngrohjes do të jetë gati me 15 tetor. Ndërsa sa i përket borxheve që janë ndaj Termokos-it, Uka ka paralajmëruar qytetarët që t’i shlyejnë borxhet që kanë ndaj kësaj ndërmarrje, përndryshe do t’i tërhiqen të hollat nga xhirollogaritë e personave.

Termokos-i deri më tani ka shpërndare rreth 1700 vërejtje, para ngritjes së rastit tek përmbaruesit privat.

“Është afati 7 ditor, kujtdo qoftë që i është dërguar vërejtja e dytë, nëse në afat prej 7 ditëve nuk reagon, ne në bashkëpunim me përmbaruesit privat, pasi që veç ata janë të identifikuar si konsumator tanë sigurisht që janë ditur edhe kontot e tyre bankare, do t’i tërhiqen”, ka thënë ajo.