16:52 / E Diele, 01 Prill 2018 / indeksADMonline

Qytetarët kundërshtojnë ashpër kërcënimin e Erdoganit për Haradinajn

Deklarata e presidentit të Turqisë Recep Taip Erdogan me anë së cilës ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj ka shkaktuar reagime në Kosovë.

Ndonëse institucionet nuk kanë dal ende me ndonjë qëndrim përveq kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, kjo deklaratë për  qytetarët është shqetësuese. Madje disa nga qytetarët e anketuar  e quajnë presidentin turk, fashist dhe terrorist.

Dje presidenti i Turqisë Erdogan ka deklaruar në Stamboll se kryeministri Haradinaj do të japë llogari për kundërshtimin që ka bërë për deportimin e gjashtë ‘gylenistëve” të enjten nga Kosova.

Depërtimi i shtetasve turq për qytetarin Arben Hoxha është një trishtim.

Ai tha se ky veprim është shkelje e të drejtave të njeriut nga organet vendore.

Në lidhje me deklaratën e Erdogan, Hoxha thotë të mos jetë befasuar pasi që ai konsideron se presidenti turk është fashist dhe terrorist.

Megjithatë, Hoxha thotë se kjo duhet t’i shërbejë popullit  që të mos përsëriten gabime të tilla.

 

“Rrëmbimi i qytetarëve turq ka qenë për mua trishtim. Së pari si fat i njerëzve dhe e dyta si shkelje e drejtave të njeriut nga ana e sistemit tonë, pastaj ky kërcënim që vjen pas mua nuk më habit, Erdogani është fashist, është një diktator , terrorist, sepse ushtron terror në popullin e vet së pari, pastaj mendon ta shtrijë ndikimin edhe te ne  dhe si duket edhe ka arrit ta shtrijë ndikimin, por kjo duhet të na shërbej me i hap sytë dhe me ndërpre këtë ndikim sa më shpejtë, sepse është shumë I dëmshëm për ne”, tha Hoxha.

Edhe këngëtari, Shkumbin Kryeziu, deklaratën e presidentit turk e sheh të padrejtë ndaj kryeministrit  Ramush Haradinaj, por sipas tij veprimet e institucioneve të vendit  me ngutinë e tyre ka vënë në  dyshim të madh rreth të arrestuarve.

 

“Mendoj se nuk është e drejtë të ketë qasje të tillë ndaj kryeministrit tonë, mendoj që është e padrejtë ky intervenim apo kjo përzierje.Në këtë rast është bërë një shkelje e drejtave të njeriut, është bërë një shkelje brutale nga organet tona kompetente me deportimin e këtyre njerëzve. Kjo nguti mua më bën për të dyshuar dhe dëshiroj atyre familjeve, atyre njerëzve që të lirohen sa më parë, mirëpo tash është në duarte Turqisë, por shpresoj se në të ardhmen  Kosova të veprojë jo në këtë mënyrë”, tha Kryeziu.

Edhe për qytetarin tjetër Rabit Osmani, kërcënimi i Erdoganit është i paprecedent, pasi që, sipas tij janë dy shtete të pavarura me njëra-tjetrën.

Osmani edhe pse nuk është  i kënaqur me udhëheqjen e kryeministrit Haradinaj , ai i del në mbrojtje karshi kërcënimit të presidentit turk.

 

“Kërcënimi I kryetarit të Turqisë, Erdoganit  është i pa presedan , ai është një shtet i pavarur edhe Kosova është një shtet i pavarur, sado që Ramushi  sa i përket udhëheqësisë së Kosovës është katastrofë, megjithatë në këtë rast e mbroj dhe nuk ka një president i një shteti tjetër m’u përzi në punë të brendshme të një shteti tjetër”, tha Osmani.

Nexhmedin Llapashtica kërkoi nga  kryeministri Haradinaj që të jetë i gatshëm në këto momente, pasi, sipas tij, i gjithë populli që jeton në shtetin e Kosovës janë në duart e tij.

“Kërcënimi i mikut si ta quaj ashtu Erdoganit është ‘se ti e ke popullin tënd , shtetin tënd, statusin tënd dhe ne e kemi tonin’, mirëpo porosis kryeministrin tonë të jetë syçelë në këto momente në të cilin varet krejt territori, populli dhe shteti në duart e juaja”, tha Llapashtica.

Qytetari Afrim Gashi, thotë se presidenti i Turqisë nuk ka drejtë të kërcënojë Kosovën sepse siq thotë ai “jemi nën ombrellën e SHBA-ve dhe turqit nuk i kemi vëllezër por i kemi pas armiq”.

“Parimisht është nguti e kryeministrit Haradinaj, nëse e marrim si shembull Gyleni është një njeri I arsimuar, një njeri që e udhëheq demokracinë e jo qeverisjen të cilën e përkrah Amerika….Erdogani nuk ka drejtë me kërcënu , sepse ne jemi nën ombrellën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe  është ë kotë ajo, realisht nuk I kemi vëllezër ata, por i kemi pasur armiq”, tha Gashi.

Kërcënimi i presidentit turk Recep Taip Erdogan vjen pasi  që kryeministri Ramush Haradinaj ka kundërshtuar deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, veprim që u bë pa dijeninë  e tij.

Haradinaj pas këtij rasti ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së Driton Gashi.

Të enjten(29 mars) Policia ka arrestuar  Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, dhe Yusuf Karabina, drejtues dhe profesorë të institucioneve arsimore ‘Gulistan’ dhe kardiologun Osman Karakaya.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dje në një konferencë për media ka thënë se sipas raportit që I ka dhënë Agjencia Kosovare për Inteligjencë të deportuarit kanë kryer veprime të paligjshme me anë së cilave kanë rrezikuar sigurinë kombëtare.