09:29 / E Martë, 19 Shtator 2023 / S Z

Rafuna: Nga masat e vendosura ndaj importeve të Serbisë kanë pësuar bizneset

Masat e vendosura ndaj importeve të Serbisë, po shkaktojnë problema të mëdha te kompanitë më pronësi ndërkombëtare. Përfaqësues të Odave Ekonomike theksojnë se Qeveria e Kosovës, duhet të mendojë paraprakisht për pasojat që mund të sjellin ato vendime për ekonominë, para se të marrë një vendim të tillë.

Masat kufizuese të importeve nga Serbia për në Kosovë, vazhdojnë edhe më tutje të jenë në fuqi. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radio Kosovën se nga këto masa kanë pësuar bizneset e vendit, por edhe ato ndërkombëtare, që eksportojnë mallrat e tyre përmes Serbisë. Ai thotë se paraprakisht është dashur që të ketë një paralajmërim nga ana e qeverisë për vendosjen e masës kufizuese për mallrat serbe.

“Qëndrimi i OEK ka qenë dhe është që paraprakisht të ketë një paralajmërim kur vendoset një masë e tillë, që bizneset të jenë të përgatitura. Ne kemi pasur shumë anëtarë të Odës që kanë bërë pagesa për mallrat që i kanë blerë në Serbi, ngase atje ka shumë kompani të huaja që prodhojnë, dhe ato mallra blihen nga ato kompani që janë të vendosura në atë shtet. Ka dy muaj që kur bizneset kanë bërë pagesë, mallin nuk kanë mundur ta importojnë  ndërsa pagesa nuk i është kthyer, dhe kjo ka paraqitur një sfidë në vete për bizneset e Kosovës”, thekson Rafuna.

Rafuna thotë se shumë kompani dhe qeveri të vendeve të BE-së, e kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë situatë. Kjo për faktin se, siç përsërit sërish Rafuna, shumë kompani ndërkombëtare janë të vendosura në Serbi dhe ato masa po i prekin edhe ata.

“Atje prijnë kompani gjermane që janë të vendosura e që janë prodhuesit më të mëdhenj dhe investitorët më të mëdhenj në Serbi. Më pas janë prodhuesit italianë, amerikanë e të tjerë. Ata na kanë thënë: Qeveria e juaj e ka vendosur masën, por ato produkte prodhohen nga kompanitë tona. Ne kemi kontribuar në zhvillimin e Kosovës që nga 99-ta, dhe jemi duke kontribuuar. Duhet ta keni parasysh këtë element në të ardhmen kur të vendosen masat, që kemi të bëjmë me kompani të shteteve mike dhe produkte të tyre.  Për këtë arsye, çdo investitorë evropianë që vjen për të investuar në Kosovë, siç kanë ardhur në Serbi, ata nuk e shohin vetëm tregun e Kosovës si mundësi për të futur produkte, por ata e shohin si mundësi tërë tregun e Ballkanit. Prandaj, për vendosjen e masave të tilla në të ardhmen, institucionet e vendit duhet të kenë kujdes për çdo hap që ndërmarrin”, përfundon Rafuna.

Një reagim ndaj masave për produktet nga Serbia, e ka bërë ditë me parë edhe Oda Amerikane e Kosovës. Në reagimin e saj theksohet ndikimi i konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave zyrtare nga Oda Amerikane, importet nga kompanitë me pronësi amerikane, kanë rënë me mbi 39 për qind krahasuar me vitin 2022.

Prandaj, Oda Amerikane ka theksuar se normalizimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i kapërcen interesat bilateralë.