16:51 / E Mërkurë, 05 Gusht 2020 / indeksADMonline

Rahoveci frikësohet nga vërshimet, bën gati ekipet e shpëtimit

Pas paralajmërimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës se mund të ketë vërshime si pasojë e reshjeve të shiut, komuna e Rahovecit bën të ditur se kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për këtë.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit, Hasan Përboqi, ka deklaruar se ekipi i shpëtimit dhe emergjencës dhe njësitë tjera emergjente të komunës janë mobilizuar dhe do të jenë aktive gjatë gjithë kohës si dhe do të jenë në shërbim të atyre që kanë nevojë.

Përboqi shtoi se edhe kompanitë për intervenime emergjente që janë të kontraktuara nga komuna janë njoftuar që të jenë në gjendje gatishmërie dhe t’i rrisin kapacitetet intervenuese të tyre në rast të nevojës.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Rahovec me anë të një njoftimi ka kërkuar nga qytetarët që të marrin masa më herët dhe të jenë të gatshëm për çfarëdo përballje me vërshimet dhe përmbytjet e mundshme.