11:10 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / MSH

Rajoni i Napolit “tronditet” nga një seri tërmetesh

Mbi 160 tërmete kanë goditur Napolin me rrethinë të hënën mbrëma, për të vazhduar edhe gjatë tërë ditës së martë.

Dhjetëra shtëpi u evakuuan dhe shkollat u mbyllën pasi rajoni u godit nga një “stuhi” tërmetesh, shkruan BBC-i, transmeton Indeksonline.

Tërmeti më intensiv ishte me magnitudë prej 4.4 ballësh, pranë qytetit Pozzuoli. Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë i Italisë (INGV) tha se ishte tërmeti më i fortë në rajon në 40 vjetët e fundit.

Kryebashkiaku i Napolit, Gaetano Manfredi, deklaroi se banorët janë të frikësuar, por që zyrtarët komunalë po i kushtojnë vëmendje këtij fenomeni.

Qindra tenda u ngritën në Pozzuoli dhe disa banorë qëndruan në rrugë për pjesën më të madhe të natës, megjithëse të tjerë zgjodhën të qëndronin diku tjetër me të afërmit.

Mediat lokale raportuan se disa familje po mendonin të largoheshin nga zona për shkak të numrit të tërmeteve të nivelit të ulët që kanë ndodhur në muajt e fundit.