19:45 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / AR

Raketa e Space X del nga kontrolli/ Raketa Falcon 9 më 4 mars do përplaset me Hënën

Një raketë e SpaceX është futur në një kurs përplasjeje me Hënën pasi kaloi pothuajse shtatë vjet duke u endur në hapësirë, thonë ekspertët.

Raketa fillimisht u nis nga Florida në shkurt 2015 si pjesë e një misioni ndërplanetar për të dërguar në hapësirë një satelit monitorues të klimës.

Por pasi përfundoi një djegie të gjatë të motorëve të saj dhe dërgoi Observatorin e Klimës në Hapësirë– faza e dytë e rrugëtimit të raketës mori tjetër drejtim.

Ajo nuk kishte karburant mjaftueshëm për t’u kthyer në atmosferën e Tokës, por gjithashtu “i mungonte edhe energjia për t’i shpëtuar gravitetit të sistemit Tokë-Hënë”, shpjegoi eksperti Eric Berger.

Vëzhguesit e hapësirës besojnë se raketa tashmë është në rrugën e kryqëzimit me Hënën me një shpejtësi prej rreth 2.58 km/s për punë disa javësh.

Bill Grey, i cili studion objektet afër Tokës, asteroidet, planetët e vegjël dhe kometat, ka thënë se Falcon 9 ka shumë të ngjarë të godasë në sipërfaqen e hënës më 4 mars.

Sa i përket asaj se nëse përplasja mund të shihet nga Toka, Grey thotë se ndoshta do të kalojë pa u vëzhguar.