17:59 / E Martë, 30 Tetor 2018

Rama dhe Çeku demantojnë Vuçiqin: Je gabim për datat e ushtrisë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit që zhvilloi me politikanët  e Listës Srpska, ka thënë se është në dijeni se ushtria e Kosovës do të formohet me 28 nëntor.  Mirëpo, kjo është hedhur poshtë nga krerët përgjegjës të institucioneve që merren ekskluzivisht me këtë çështje.

Numri një i FSK-së, gjenerlejtnant, Rrahman Rama ka deklaruar se formimi nuk ka lidhje me data pasi pritet që kjo çështje të përfundojë së pari në Parlament.

“E pash një deklaratë të tillë, por ne nuk kemi asnjë informacion si Institucion se kur do të ndodhë, është çështje e Parlamentit. Pra, besoj se duhet që vetë Kuvendi të dijë më shumë . Ne jemi vetëm sponsor të Ligjit dhe vendimet i merr dikush tjetër”, ka thënë Rama për “Indeksonline”

Sipas tij, formimi i Ushtrisë së Kosovës nuk është çështje datash. “Nuk ka lidhje me data, s’ka çka lidhet kjo. Psh me 27 nëntor e kemi Ditën e Forcës dhe do të asistojmë si zakonisht dhe nuk është kjo çështje as e Ministrisë dhe as e FSK-së, sepse nuk është çështje data”, ka përfunduar Rama

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe zëvendësministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku. “Jo për besë nuk e di sepse kjo varet nga Parlamenti, ky proces nuk lidhet me data, pra varet se çfarë vendoset së pari në Parlament”, ka thënë shkurt ai.

Ndryshe, pas votimit në lexim të parë të ligjeve që hapin rrugë për krijimin e ushtrisë, në fund të nëntorit pritet që deputetët t’i japin vulë votimit final për krijimin e ushtrisë. /Indeksonline/