20:01 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018 / indeksADMonline

Të akuzuarit në rastin “veteranët” ende nuk janë njoftuar me aktakuzën

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk i ka njoftuar të akuzuarit për rastin e njohur në opinion si ‘Veteranët’. Të akuzuarit thonë të mos jenë njoftuar zyrtarisht as nga Prokuroria Speciale lidhur me atë se për çfarë akuzohen.

Në mesin e 12 personave për lëndën e njohur si ‘Veteranët’, është edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shkuri Buja.

Buja dhe të tjerët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në një prononcim për Indeksonline, Buja ka thënë se ai nuk ka marrë asgjë apo njoftuar zyrtarisht nga institucionet kompetente lidhur me këtë aktakuzë.

“Askush nuk më ka njoftuar, asnjë institucion shtetëror i thirrur për këtë, pra për ngritje të aktakuzës dhe si rrjedhojë e kësaj nuk mund të di se çka mund të përmbajë ajo”, ka thënë Buja.

Se të akuzuarit nuk kanë ende njohuri rreth aktakuzës ndaj tyre e ka konfirmuar për Indeksonline edhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se lidhur me këtë rast Gjykata është në fazën e përgatitjes së dërgimit të aktakuzës të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Të akuzuar në këtë rast sipas Prokurorisë Speciale janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha , Faik Fazliu, Xhavit Jashari dhe S.E dhe F.SH.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë euro.

Në bazë të ligjit, veteran luftëtar i UÇK –së, është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK- së, dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së, dhe i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

Sipas ligjit, këtë benificion, veterani nuk mund ta marrë nëse është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti në Republikën e Kosovës, apo është i punësuar në sektorin publik dhe privat në vend./Indeksonline/