18:01 / E Martë, 24 Janar 2023 / k.v

Rama e bën përgjegjëse MF-në: Prishtina ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë

Pas raportimeve për rritjen e normës së tatimit në pronë, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ai ka thënë se kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.

“Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, ka thënë Rama.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,
Që prej dje kam marrë shqetësime të arsyeshme nga ju në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë.
Për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces.
Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njejtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë.
Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave.
I juaji,
Përparim Rama