21:09 / E Mërkurë, 07 Qershor 2023 / S Z

Rama i dhuron Kadaresë Çelësin e Kryeqytetit, i premton se një nga bibliotekat do ta ketë emrin e tij

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në shenjë mirënjohjeje, ia ka dhuruar Çelësin e Kryeqytetit shkrimtarit Ismail Kadare.

Këtë e bëri të ditur Rama përmes një postimi në Facebook, u shtoi se i ka premtuar vënien e emrit të shkrimtarit njërës prej bibliotekave të kryeqytetit.

“Nder i jashtëzakonshëm të mirëpres shkrimtarin e madh Ismail Kadare dhe bashkëshorten e tij, znj. Helena Kadare. Në shenjë mirënjohje dhe respekti i dhurova Çelësin e Kryeqytetit. Po ashtu, kisha kënaqësinë ta informoj se kam vendosur që një prej bibliotekave të kryeqytetit do ta marrë emrin e tij”, ka shkruar Rama në Facebook.

Sipas Ramës, veprat e Kadaresë e kanë ngritur letërsinë shqipe në nivel botëror dhe vazhdojnë të frymëzojnë tash e sa gjenerata.