75 Mall Live Search
15:04 / E Martë, 09 Qershor 2026 / b l

Rama: Kundërshtimi i investimeve të huaja dëmton zhvillimin e turizmit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se të kundërshtosh rritjen e cilësisë së turizmit dhe mbi të gjitha të refuzosh kapitalin e huaj në këtë industri do të thotë të refuzosh cilësinë, nuk do të thotë të refuzosh shkatërrimin.

Gjatë punimeve të Konferencës së 3-të Kombëtare për Arsimin Profesional, Rama u shpreh se sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta janë pagat.

“Sa më e ulët të jetë cilësia e sistemit, aq më të ulëta do jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem, aq më të larta do jenë të ardhurat e sistemit, dhe për rrjedhojë dhe të shtetit, ky është ekuacion shumë i thjeshtë”, shtoi ai.

Kryeministri ndau modelin e Zvicrës, një vend turistik shumë i shtrenjtë, por me paga shumë të larta.

“Ka paga shumë të larta për arsyen e thjeshtë, sepse ka mundësinë që të jetë e shtrenjtë, sepse ka cilësi shumë të lartë të ofertës së vet. Sot të gjitha zhvillimet që bëhen në turizëm globalisht, nuk janë më zhvillimet e 10 viteve më parë”, shtoi Rama.

Duke folur për reagimet që ka shkaktuar në vend çështja e mbrojtjes së mjedisit lidhur me investimin në Zvërnec, Rama theksoi se jo vetëm në Europë, por edhe në vendet e Lindjes së Mesme projektet turistike kanë një theks shumë të fortë respekti për natyrën.

“Është një idiotësi, ideja që kapitali i huaj mblidhet me qindra-miliona, me miliarda, organizohet dhe shkon diku për të bërë Golemin e vitit ‘90 në Shqipëri. Nuk ekziston. Në Europë investohet më pak në turizëm sepse Europa ka shumë. Europa ka bërë po ashtu gabime të mëdha, sidomos Europa jugore mesdhetare, të cilat i ka kuptuar, mbi të cilat ka reflektuar dhe rreth të cilave janë krijuar shumë standarde strikte”, theksoi ai.

“Kështu që, nuk shkon dot sot në Portugali, nuk shkon dot sot në Spanjë, në Francë harroje, nuk shkon dot sot as në Itali, as në Kalabri që është një zonë e qametit antimjedisor të viteve ‘70, ‘80 edhe ‘90 dhe të propozosh projekte që nuk janë në kompaktësi me idealin e natyrës. Nuk ndodh”, vijoi Rama.

Sipas tij, “të mendosh këtë dhe të reagosh ndaj kësaj është njësoj si alarmi dhe shqetësimi nga importi i plehrave”.

“Kur u bë një ligj për të sjellë plehra importi, që ishte jo kompakt me zinxhirin e qarkullimit të mbetjeve në Europë, ku ka import mbetjesh, por me shumë kushte edhe me standarde të mirëpërcaktuara me lista të gjelbra, u bë nami këtu. Dhe ne, kur erdhëm në qeveri ligji i parë – kam përshtypjen – që kemi kaluar ka qenë mbyllja e importit të plehrave. Këtu po bëhet sikur po importohen plehra, sepse është një qasje e cila nuk niset nga faktet, nuk niset nga projekti, nuk niset nga studimi i mjedisit, por niset vetëm nga një frikë dhe njëkohësisht nga një ideologji. Një ideologji që nuk është kompatibël me zhvillimin”, shtoi ai, duke iu referuar protestave për investimin në Zvërnec.