14:16 / E Shtunë, 23 Korrik 2022 / MSH

Rama për Manifestan: Prishtina është bërë qendër e artistëve me renome botërore

Manifesta 14 mbrëmë bëri hapjen solemne të organizimit më të madh të artit dhe kulturës në Evropë.

Prishtina, si nikoqire e edicionit të sivjetëm të Manifestas, ka marrë vëmendjen ndërkombëtare për këtë organizim.

Lidhur me këtë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është shprehur tëjet krenar dhe i lumtur që Prishtina është shndërruar në qendër të artistëve të famshëm botërorë.

“Prishtina është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që mirëpret një bienale të nivelit të tillë, prandaj për mua si Kryetar i Kryeqytetit, është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe” tha i pari i Prishtinës.

Rama bëri me dije gjithashtu që kurimet e Manifestas do të jenë të hapura oër 100 ditë, nga ora 10 deri në ora 20, pa pagesë.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Mbrëmë, në prani të Presidentes së Kosovës znj. Vjosa Osmani, Kryeministrit, z. Albin Kurti, miqve dhe përfaqësuesëve të institucioneve vendore e ndërkombëtare, ishte kënaqësi e veçantë që së bashku me Kryesuesen e Manifesta, znj. Hedwig Fijen, kuratoren, znj. Catherine Nichols dhe arkitektin, z. Carlo Ratti, hapëm zyrtarisht në Prishtinë, bienalen më të madhe të artit dhe arkitekturës në botë.

Prishtina është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që mirëpret një bienale të nivelit të tillë, prandaj për mua si Kryetar i Kryeqytetit, është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe.

E tërë vëmendja e mijëra gazetarëve nga mediat më prestigjioze botërore është kthyer kah Kryeqyteti, i cili është bë qendër e artistëve me renome botërore, të cilët artin e tyre e kanë sjell këtu për qytetarët tanë.

Prishtina po vizitohet nga vizitorë të të gjitha shteteve të botës, jo kalimthi si shtet ballkanik, por si referencë primare, si qytet i artit, arkitekturës dhe si qytet i bienaleve me nam ndërkombëtar.

Ne, dëshmuam edhe njëherë potencialin, gatishmërinë, mikpritjen dhe energjinë unike që ka Prishtina.

Prandaj, falënderoj të gjithë që kanë kontribuar që kjo bienale të vijë në Prishtinë, të gjithë që ndihmuan në organizimin e saj dhe të gjithë ju që e mirëpritët këtë ngjarje të madhe të artit.

Uroj ta shijoni programin e Manifesta 14, i cili është i hapur nga sot, për 100 ditë, çdo ditë nga ora 10:00 – 20:00, pa pagesë!