14:54 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

Ramush Haradinaj jep lajm të mirë për mjekët, ka të bëj me pagat

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim delegacionin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), të kryesuar nga Blerim Syla, me të cilët bisedoi për gjendjen në shëndetësinë kosovare dhe hapat e ndërmarrë për përmirësimin e saj. Në takim ishte prezent edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Kryeministri Haradinaj nga përfaqësuesit e FSSHK-së u njoftua me të arriturat e sektorit të shëndetësisë, por edhe për sfidat me të cilat përballet ky sektor.

Përfaqësuesit e sindikatës e njoftuan Kryeministrin për shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë, e njëri nga këto shqetësime ishte kategorizimi i pagave të mjekëve.

Kryeministri Haradinaj u zotua në angazhimin e Qeverisë për krijimin e bazës ligjore që ky kategorizim të aplikohet sa më parë edhe në sektorin shëndetësorë, ashtu siç e kanë tashmë të rregulluar edhe vendet e rajonit.

“Zgjidhja e problemit të pagave për punëtorët shëndetësorë, është kategorizimi i tyre, përmes ligjit. Qeveria do të jetë e përkushtuar që këtë ligj ta procedojë sa më parë. Kategorizimi nënkupton edhe rritjen e pagave për mjekët”, tha kryeministri Haradinaj.

Sindikalistët shëndetësorë u dakorduan që bashkë me ekspertë nga Ministria e Administratës Publike, ajo e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave të finalizojnë punën për Ligjin e pagave, në mënyrë që kërkesat e tyre, të zbatohen sa më parë./Indeksonline/