01:47 / E Mërkurë, 25 Mars 2020

Rapid Test/ Testi brenda 5 minutave, të tregon nëse je ose jo i infektuar me koronavirus

Quhet Rapid Test, e ka bekimin e OBSH-së dhe e jep brenda 5 minutash përgjigjen nëse je apo jo i infektuar nga koronavirusi. Mjaftojnë disa pika gjaku të pacientit, thotë La Repubblica, dhe mjekët brenda një kohe rekord arrijnë të kuptojnë nëse ka prani të Covid-19.

Testi ka mbërritur në strukturat e para spitalore italiane, e shumë shpejt pritet një shpërndarje e gjerë e tij. Rapid test pritet tua lehtësojë ndjeshëm punën mjekëve që po përballen me sëmundjen në Italinë e shpallur së fundi si epiqendrën e re të saj në botë.

Duke qenë se mund të garantojë një kontroll më të shpejtë, ai mendohet se do të ndikojë dhe në frenimin e pandemisë që ka detyruar izolimin e miliona njerëzve. Italia është vendi më i prekur i globit me 6.820 viktima.

Testi është regjistruar me procedure të rregullt në ministrinë italiane të shëndetësisë, pasi ka rezultuar i suksesshëm në një sërë spitalesh kineze. Vetëm një ditë më parë, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se pandemia e koronavirusit “ka marrë hov”.

Ai tha se do ti drejtohet krerëve të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, këtë javë, për t’i kërkuar që të punojnë së bashku në prodhimin e paisjeve mbrojtëse.TCH