Raporti për vendet në tranzicion, Kosova e fundit në rajon
Kosova është renditur diç më mirë në raportin e fundit të Freedom House të titulluar, “Vendet në tranzicion, 2018”, i cili matë përparimin dhe pengesat për demokratizimin e shteteve.
Në një vlerësim nga një deri në shtatë, ku nota një është shkalla më e lartë, ndërsa shtatë është shkalla më e ulët e përparimit demokratik, Kosova ka marrë notën 4.93, ndryshe nga 4.96 sa e kishte një vit më parë.
Sipas gjetjeve të këtij raporti, Kosova vazhdon të këtë problem me nivelin e lartë të korrupsionit, sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe me qeverisje demokratike.
Për Kosovën, më së miri është vlerësuar funksionimi dhe hapësira në të cilën vepron shoqëria civile.
Ky segment vlerëson rritjen e numrit të organizatave joqeveritare (OJQ), kapacitetet e tyre organizative dhe qëndrueshmërinë financiare si dhe mjedisin ligjor e politik në të cilin funksionojnë ato. Megjithatë, Kosova renditet në kategorinë e vendeve me qeverisje tranzicionale.
Pak më lartë është renditur edhe Shqipëria, e cila nga nota 4.14 në vitin paraprak, këtë vit ka marrë notën 4.11 që e renditë atë në kategorinë me demokraci gjysmë të konsoliduar.
Edhe shtetet tjera të rajonit si Serbia dhe Mali i Zi renditen në kategorinë e njëjtë, vende me demokraci gjysmë të konsoliduar.
Vlerësimi i shkallës së demokracisë përfshin disa kategori si: procesin zgjedhor, shoqërinë civile, mediat e pavarura, qeverisjen demokratike kombëtare, qeverisjen demokratike lokale, kuadrin juridik, pavarësinë e sektorit të drejtësisë dhe shkallën e korrupsionit.
Kur i referohet rajonit, raporti i Freedom House, përmend presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe atë të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq për të cilët thotë se kapën shtetet përkatëse, duke i kthyer ato në mekanizma për të forcuar partitë e tyre në pushtet.