22:25 / E Premte, 29 Dhjetor 2023 / Gj. Sh

Raportohet se Hamasi është pajtuar të nisë bisedimet me Izraelin me disa kushte

Ndërmjetësuesit e Katarit i kanë thënë Izraelit se Hamasi është pajtuar parimisht të rifillojë bisedimet për lirimin e pengjeve të tjera të mbajtura në Gaza në këmbim të një pauze disajavore të luftimeve, sipas një raportimi.

Duke cituar disa burime, media izraelite “Walla” ka raportuar se ndërmjetësuesit e Katarit ia kanë përcjellë një mesazh Izraelit që Hamasi “pajtohet në parim” të rikthehet në tavolinën e negociatave për të arritur një marrëveshje.

Marrëveshja mund të përfshijë lirimin e rreth 40 pengjeve që mbahen nga Hamasi në këmbim të armëpushimit dhe kushteve të tjera, raportoi Guardian.

Bisedimet do të përqendroheshin rreth një propozimi nga kreu i agjencisë së Mossadit, David Barnea. Propozimi përfshinte lirimin e pengjeve. Në kthim, Izraeli do të ndalonte operacionet ushtarake në Gaza për një javë ose dy, dhe lirimin e një numri palestinezëve.