21:50 / E Mërkurë, 06 Qershor 2018 / indeksADMonline

Rastet e shënjëstruara si kusht për liberalizimin e vizave: Deri më tani 5 aktgjykime liruese

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë deri më tani kanë përfunduar 7 nga 39 raste të shënjëstruara si kusht për liberalizim të vizave.

Në mesin e këtyre rasteve për të cilat është shpallur aktgjykimi, pesë prej tyre kanë përfunduar me aktgjykim lirues.

Rasti më i fundit është ai i ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe zyrtarëve tjerë – të gjithë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me projektin e asgjësimit të barërave me afat të skaduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin me anë të të cilit Ilir Tolaj, Zenel Kuqi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri e Remzije Thaçi janë shpallur të pafajshëm në lidhje me veprat penale të cilat u viheshin në barrë.

Në aktgjykimin e lexuar nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj u tha se me asnjë provë nuk është arritur të vërtetohen pretendimet e Prokurorisë Speciale se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të cilat u viheshin në barrë.

I lirë është lënë edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Mekaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës në lidhje me një rast ku sipas prokurorisë Mekaj do të angazhohej në caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste dhe ricilësimin juridik të veprave penale.

Në këtë rast të pafajshëm janë shpallur edhe tre të akuzuarit Vlora Gorani si dhe Mentor e Ali Seferaj.

Pothuajse i gjithë ky gjykim është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura për shkak se mbrojtja kishte kërkuar mbylljen e seancës për publikun pasi që sipas tyre mund të cenohej privatësia e palëve në procedurë.

Aktgjykim lirues është marrë edhe ndaj Ish- drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Xhemajl Buzukut si dhe drejtorit të “Alb Architect” Afrim Demirit.

Buzuku e Demiri akuzoheshin lidhur me akuzat për një kontratë 24 muajshe me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj me kompaninë “Alb-Architect”.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, kishte thënë se lirimi ndodhi në mungesë të provave, ngase, sipas tij, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Edhe Ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hoxha përfundimisht është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga Gjykata e Apelit.

Sipas këtij aktgjykimi, Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri ishin liruar nga akuza për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa Arsim Robelli për veprën – falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje.

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka liruar nga akuza e mashtrimit në detyrë edhe ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasanin.

Hasani ishte gjetur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dhe ishte dënuar me 1 vit burg me kusht.

Në tetor të vitit të kaluar, Enver Hasani ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 1 vit burg me kusht për periudhën e verifikimit dy vjet, ndërsa mbrojtja e të akuzuarve kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Po ashtu fajtorë ishin shpallur edhe dy të akuzuarit tjerë, Albert Rakipi dhe Hakif Veliu.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit këtë vepër e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së. /kallxo.com