14:41 / E Hënë, 02 Prill 2018 / indeksADMonline

Rasti “Almiri”, Boban Iliq nuk ndihet fajtor. Avokati: Prokuroria ka bërë lëshime

Sapo ka përfunduar seanca gjyqësore ku është janë dhënë fjalët përfundimtare nga të dyja palët të përfshira në rastin “Almir Aliu” në Kumanovë, shkruan Indeksonline.

Avokati i familjes Aliu gjatë elaborimit të fjalëve përfundimtare ka nënvizuar se janë bërë një sërë shkeljesh gjatë udhëheqjes së procedurës hetimore si dhe analizës së provave materiale.

Më tej ai ka theksuar se është bërë gabim gjatë rikualifikimit të lëndës me qëllim që t’i zbutet dënimi kryerësit të veprës penale, Boban Iliqit.

Pos kësaj pala mbrojtëse ka theksuar se tre nga katër ekspertët të cilët i kanë kryer ekspertizat kanë pasur licenca me afat të skaduar .“Prokuroria ka vepruar në mënyrë selektive duke mos i pasur parasysh lëshimet gjatë procedurës hetimore. Prokurorja përgjegjëse nuk ka treguar gjithashtu kujdes që t’i kontrollojë licencat të cilave u ka skaduar afati”, tha avokati Asmir Alispahiq.

Avokati i familjes gjithashtu kërkoi që të tërhiqet akuza ndaj familjarëve Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri, të cilët akuzohen për dhunë ndaj Bojan dhe Boban Iliqit.

Në fjalët përfundimtare vrasësi Boban Iliq është deklaruar se është i pafajshëm dhe nuk e pranon fajin, gjithashtu edhe familjarët Aliu nuk e pranojnë fajin.

“ I akuzuari Boban Iliq u deklarua se nuk ndjehet fajtor as për këtë vepër penale për të cilën akuzohet, kjo e tregon mënyrën e tij se si sillej gjatë gjithë kohës”, tha avokati i familjes Aliu.

Ndryshe, te enjten në ora 14:00 pritet që gjykata të jap fjalën përfundimtare pas deklarimit të të dyjave palëve./ Indeksonline/