20:00 / E Premte, 24 Gusht 2018 / indeksADMonline

Rasti Blakaj, kërkohet vetting për sundimin e ligjit

Ligji i vettingut është proces i verifikimit që synon përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës. Ky ligj po konsiderohet më së i nevojshëm në Kosovë, në mënyrë që të rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore.

Avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi për “Indeksonline” është shprehur se rasti i fundit më ish prokurorin Elez Blakaj ka vënë në pah nevojën për ligjin e vettingut.

Ai ka thënë se për këtë nuk duhet bërë diçka të madhe, pos të merret si model Shqipëria.

“Vettingu është pastrim i sistemit, vënien e një filtri që ata që nuk e kalojnë, thjeshtë e humbin punën qe e ka pas deri tani, dhe në vend të tyre të vinë kuadrat të reja, të afta profesionalisht me shkathtësi të veçanta profesionale dhe normalisht pa lidhje interesash me politikanët e niveleve të larta. Ne nuk duhet te bëjmë diçka jashtë normales thjesht duhet ta kopjojmë Shqipërinë dhe metodat e tyre të vetingut, të cilat janë treguar shumë të suksesshme”, është shprehur Gashi.

Gashi ka shtuar se pa një veting gjithëpërfshirës nuk ka sundim të ligjit, gjë për të cilin thotë është vërtetuar në rastin e prokurorit Blakaj.

“Por nuk duhet të kërkojë ligj për veting vetëm për prokurorë dhe gjykatës, aty duhet të përfshihen Policia dhe AKI. Pa një veting gjithëpërfshirës, nuk ka sundim të ligjit, kjo edhe u vërtetua fare mirë në rastin e prokurorit Blakaj dhe secili qe ia donë të mirën shtetit të Kosovës duhet të kërkoj ndryshime te secila hallke të funksionalizimit të shteti. Duket se ka ardhur koha për ndryshime për të mire të përgjithshme, përndryshe të gjithë mbajmë përgjegjësi dhe të gjithë jemi humbës”, ka theksuar Gashi.

Ndërsa, Ramush Haradinj është shprehur se nuk do të përkrah ndonjë proces të vetingut në drejtësinë e vendit.

“E kemi kryer vetingun, kemi pasur veting, mundemi t’i bëjmë 100 vetingje, kush i bën vetingjet, të njëjtit njerëz. Unë ju bëj thirrje atyre që i kanë përgjegjësitë: hajdeni të punojmë më ligj”, është deklaruar ai.

Ndryshe, kohë më parë ishte mbajtur mbledhja nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, në të cilën është kërkuar që të ketë proces të Vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Mirëpo, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. /Indeksonline/