18:33 / E Martë, 25 Shtator 2018 / indeksADMonline

Deputeti i AAK-së nuk tërheq fjalët për Blakajn, thotë se nëse jo shteti ai do të merret me të

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demailaj, ka folur rreth listave të veteranëve për fryrjen e të cilave, akuzohet edhe ai. Demaliaj ka thënë se nuk i bie pishman që ka fyer ish-prokurorin Elez Blakaj.

Demaliaj nuk tërhiqet nga ofendimet që ia ka bërë ish-prokurorit Blakaj, i cili ka përgatitur aktakuzën ndaj deputetit të AAK-së dhe 11 të tjerëve që kanë qenë pjesë e komisionit për njohjen e statusit të veteranit.

“Jo unë nuk i bie pishman asnjëherë për fjalët që i them. Kam thënë atëherë do të them edhe tash. Nëse shteti nuk merret me Blakajn, unë personalisht do të merrem me të”, ka thënë Demaliaj në T7.

Madje, deputeti i AAK-së, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të kërkojnë kthimin e Blakajt në Kosovë, pasi ai, sipas Demaliajt, duhet të jap përgjegjësi për fyerjen që u ka bërë veteranëve.

Ai ka insistuar se numri i veteranëve, i verifikuar nga komisioni qeveritar, është i saktë.