75 Mall Live Search
18:36 / E Martë, 08 Korrik 2025 / MSH

Policia sqaron në detaje rastin e Agon Zejnullahut, iu gjet edhe drogë

Policia e Kosovës ka shpjeguar në detaje rastin tragjik që ndodhi dje në Lipjan, ku në një aksion ku ishte i përfshirë një njësit policor dhe tashmë i ndjeri, Agon Zejnullahu.

Përmes një njoftimi zyrtar, PK-ja deklaroi se informacionin për të dyshuarin e morën përmes gjashtë thirrjeve telefonike nga qytetarët, që raportuan se perosni në fjalë kishte sjellje agresive dhe paraqiste rrezik për kalimtarët, duke i sulmuar.

“Sjelljet e njëjta sipas raportimit të qytetarëve janë shfaqur edhe në prani të zyrtarëve policorë, të cilët me qëllim të vënies së situatës nën kontrollë dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprejin policor” thuhet në njoftim.

Mes të tjerash, policia shtjellon telefonatën e bërë në emergjencë, gjetjen e një substance të dyshuar narkotike te viktima, si dhe konstatimin mbi vdekjen e tij.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Me datën 07.07.2025, rreth orës 00:12, Policia e Kosovës ka pranuar informacionin përmes gjashtë thirrjeve telefonike nga qytetarët se një person me sjellje agresive, përmes veprimeve të tij po paraqiste rrezikim të përgjithshëm të kalimtarëve duke i sulmuar ata por dhe të vetes së tij, duke ndjekur automjetet dhe duke tentuar të hynte në to.

Ngjarja është raportuar se ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore pas pranimit të informacioneve kanë reaguar menjëherë për të ndaluar sulmet dhe rrezikimin e qytetarëve dhe parandaluar përshkallëzim të mëtejmë të situatës.

Sjelljet e njëjta sipas raportimit të qytetarëve janë shfaqur edhe në prani të zyrtarëve policorë, të cilët me qëllim të vënies së situatës nën kontrollë dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor.

Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë.

Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij. 

Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.

Sipas procedurave të parapara ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore, Prokurori për krime të rënda si dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Të gjitha provat e siguruara përfshirë edhe pamjet e kamerave që ndihmojnë në zbardhjen e rastit janë ndarë me institucionet relevante, respektivisht me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar katër zyrtarë policorë dhe një rreshter, të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit, dhe ri cilësimit të veprës, janë dërguar në mbajtje.

Sigurojmë të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë dhe të plotë me institucionet relevante me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti, epilogu i së cilit do të merret pas  përfundimit të hetimeve, ekzaminimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore.

Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve me të gjitha kapacitetet, detyrat dhe obligimet ligjore që ka.