19:58 / E Mërkurë, 23 Shkurt 2022 / LB

Rasti ndaj Salih Mustafës, trupi gjykues hedh poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave

Trupi gjykues në çështjen ndaj Salih Mustafës ka hedhur poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave të cilat rëndojnë mbi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu kanë njoftuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ku ndër të tjera kanë bërë të ditur se gjykimi do te vazhdojë më 8 mars.

Sipas njoftimit të DhSK-së, më 8 mars do të mbahet konferenca përgatitore për Mbrojtjen.

“Sot, trupi gjykues në çështjen gjyqësore Mustafa hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Gjykimi në këtë çështje do të vazhdojë më 8 mars në orën 09:30, kur është caktuar të mbahet konferenca përgatitore për Mbrojtjen”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar paraqitjen e provave.

Ndërsa tutje pritet që trupi gjykues të vendosë për numrin dhe modalitetet e dëshmitarëve të Mbrojtjes.

Në gjyqin ndaj Salih Mustafës janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë te mbrojtur të prokurorisë, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Ndërsa në seanca të hapura, të ftuar nga ZPS, kanë dëshmuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, Fatmir Sopi, Sejdi Vesli e Fatmir Humolli.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës i cili ka filluar më 15 shtator 2021 është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm