12:22 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Reagime të shumta të qytetarëve për mungesë të oksigjenit në Spitalin e Gjakovës, drejtori i quan shpifje

Tash e sa ditë po flitet për mungesë të bocave të oksigjenit, në spitalin e përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”.

IndeksOnline sot në mëngjes ka kontaktuar u.d. së drejtorit, Hilmi Shala i cili i ka quajtur shpifje zërat se kinse ka mungesë të bocave të oksigjenit.

Madje, ai ka kërkuar që të respektohet puna e tyre dhe të mos krijohet panik në këto ditë pandemie.

Por, në vazhdimësi qytetarë të shumtë kërkojnë ndihmë në forma të ndryshme për të siguruar boca oksigjeni, derisa bëhet me dije se disa pacientëve u është dashur të transferoheshin në spitale të tjera përreth, kjo për shkak të mungesës së oksigjenit.

“Babin mbrëmë jemi detyru me e transferu në Prizren për mungesë të oksigjenit…turp, janë duke luajtur me ndjenjat e familjarëve e pacientët janë duke u stresuar e po vjen deri te… turp për shtetin, turp për demantimet që janë duke bërë, për të dalë të pafajshëm…”, ka shkruar Zana. N, një banore e Gjakovës.

Ndihmë për të siguruar boca oksigjeni, qytetarë nga Gjakova kanë bërë edhe në grupe të ndryshme, në rrjetet sociale.

“A kishe mujt me bo ni postim shpejt nmarakli tkerreve, po na vyn oksigjen urgjent në Spital të Gjakovës”, ka shkruar një tjetër qytetar i shqetësuar.

“Pram ne ora 11 e nates vin motrat ne dhom edhe thojn nuk ka oksighen bani zgjidhje qysh doni une per veti per bab tem u dytyrova ta paguj 850 ero ky pra qyterar asht shteti jon ata se nuk i paten 850 ero jam i sigurt se kan vdek”, ka shkruar Lulzim.A, transmeton IndeksOnline.

 “Nëse nuk gjendet një zgjidhje urgjente për ditët në vijim dhe zgjidhje më afatgjate për dimrin që po vjen shumë pacientë mund të na vdesin nga mungesa e oksigjenit. Kjo situatë nuk është vetëm neglizhencë e qeverisë, ky është brutalitet i aparatit shtetëror ndaj qytetarëve!”, ka shkruar Blin.N një qytetar tjetër nga Gjakova.

Ndërkohë që njoftimi publik i deputetit të VV-së, Agon Batusha lidhur me mungesën e oksigjenit në spitalin e Gjakovës, nga ana e drejtorit Shala, u quajt shpifje.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i tij.

“Vetëm sa për të ju bërë të qartë, unë Agon Batusha deputet i Kuvendit të Republikës do të vazhdoj të denoncoj publikisht, ligjërisht dhe politikisht çdo vështirësi, parregullsi dhe shqetësim të raportuar nga qytetarët të këtij vendi. Kjo është puna ime. Kurse puna juaj është të menaxhoni institucionin në mënyrë sa më të mirë të mundshme duke ju shmangur dramave që kanë synim mbulimin e dështimeve menaxheriale.”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

“Nëse gjendja qenka kaq e mirë, pse transferohen pacientët në spitalet tjera rajonale?”, ka pyetur tutje ai.

Ndryshe, aktualisht në Spitalin e Gjakovës janë të shtrirë 91 pacienta të prekur nga Covidi-19.