09:33 / E Mërkurë, 19 Shtator 2018 / indeksADMonline

Reagimi i Art Motion ndaj Bordit Politik të KPM-së dhe Kujtesës për të drejtat e Ligës së Kampionëve

Pluhuri i ngritur në media, ditëve të fundit, lidhur me të drejtat e transmetimit të Ligës së Kampionëve (LK) në Kosovë, që po sponsorohet në emër të platformës Kujtesa, është bazuar në rrena, dezinformata dhe fshehje të fakteve, me qëllim që të sulmohet Art Motion, platforma e re dhe atraktive e cila popullit të Kosovës po i ofron diçka të re.

Kjo fushatë e ashpër dhe e padrejtë, me ksenofobi, gjuhë urrejtëse, me rrena dhe dezinformata po mundohet të mbulojë diletantizmin biznesor të Kujtesës, në nënshkrimin e kontratave milionëshe, për blerjen e të drejtave televizive të Ligës së Kampionëve.

Me këtë rast, kjo platformë ka blerë mall të çmueshëm, pa e lexuar me kujdes përmbajtjen, obligimet dhe përgjegjësitë e veta, por edhe të palës nga e cila e bleu këtë mall.

 

 

Duke blerë të drejtat për transmetimin e Ligës së Kampionëve për Kosovë, Kujtesa i ka fituar ato vetëm për transmetim në gjuhën shqipe, ndërsa që në shitje kanë qenë edhe opsionet tjera të transmetimit.

Për më tepër, është bërë bujë e madhe për blerjen e të drejtave të Art Motion për transmetimin e kanalit sportiv Arena Sport, pronë e kompanisë HD-win nga Beogradi, e cila gjithashtu ka të drejtën e emetimit të Ligës së Kampionëve, Europa League-së, Ligës Franceze e shumë e shumë sporteve të tjera, për Kosovë, në një gjuhë tjetër, e jo shqip.

 

 

 

Është rrenë e kulluar nga Kujtesa dhe tjerët që po nxisin pluhurin në emër të saj, që kanë arritur të manipulojnë me Qeverinë, Kuvendin dhe Komisionin Parlamentar për Media të Kuvendit të Kosovës, kryesues i së cilës është deputeti Nait Hasani.

Për më tepër, duke shfrytëzuar lidhjet politike, pronarët e Kujtesës kanë ndikuar direkt tek ligjvënësit kosovarë që ata t’i bëjnë presion Komisionit të Pavarur të Mediave, gjegjësisht Bordit të këtij institucioni, që në mënyrë të hapur, të favorizojë platformën Kujtesa, duke shkelur rëndë Rregulloren për Shpërndarjen e Ofruesve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuale dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Me një fjalë, Bordi i KPM-së është shndërruar në Bord Politik të Mediave i cili përkundër faktit se Art Motion, në mënyrë tërësisht të rregullt, dhe duke respektuar gjitha ligjet, ka siguruar transmetimin e kanalit Arena Sport në Kosovë, në kuadër të cilit, ndër tjera transmetohet edhe Liga e Kampionëve, tenton ta pengojë këtë transmetim.

 

 

Se sa e pandershme është Kujtesa e dëshmon edhe fakti se pikërisht kjo platformë është ajo e cila e ka pasur partner biznesi kanalin sportiv Arena Sport të kompanisë HD-win nga Beogradi, dhe ka bashkëpunuar me të deri në qershor të këtij viti, pasi të drejtat e Ligës së Kampionëve i ka blerë nga ajo.

Këtë më së miri e dëshmon dokumenti i mposhtëm në të cilin shihet se kompania HD-ëin nga Beogradi ia ka shitur të drejtat KUJTESËS për të transmetuar Ligën e Kampionëve në territorin e Kosovës, por vetëm në gjuhën shqipe, në kanalet e saja: K-Sport 1, K-Sport 2, K-Sport 3 ,K-Sport 4 dhe K-Sport 5, për edicionet 2015/2016, 2016/2017 dhe 2017/2018.

Po ashtu, këtu mund të shihet komunikimi dhe korrespondenca e rregullt e departamentit të Sportit të Kujtesës me atë të TV Arena Sport, lidhur me porosinë dhe kërkesën e ndeshjeve të cilat do të transmetoheshin në Kujtesa.











Pandershmëria e Kujtesës ka të bëjë edhe me faktin tjetër se ajo ka luajtur me ndjenjat e popullit të Kosovës, duke luajtur me emocionet nacionalist, duke e akuzuar platformën Art Motion se kjo e fundit bleu të drejtat televizive nga po ajo kompani, me të cilën Kujtesa ka bashkëpunuar dhe me të cilën ka qenë partnere, deri para disa muajsh.

Ç’është e vërteta, të gjitha televizionet dhe mediumet që e kanë transmetuar Ligën e Kampionëve, nga viti 2001 e deri më sot, të drejtat për transmetimin e kësaj gare të UEFA-s, por edhe të shumicës së ligave evropiane të futbollit, i kanë blerë nga partnerë biznesi nga Beogradi.

Si është e mundur që për këtë gjë asnjëherë deri tash nuk është bërë bujë?

Pse Komisioni i Pavarur i Mediave apo edhe Komisioni Parlamentar për Media nuk e ngriti zërin asnjëherë për këtë çështje?

Cila është arsyeja që kjo po ndodh pikërisht tashti, kur Art Motion ka të drejtën e transmetimit të kanalit Arena Sport, i cili ndër sportet tjera, ka të drejtën e transmetimit edhe të Ligës së Kampionëve për Kosovë.

Po ashtu, është për t’u habitur se pse kurrë askush nuk e ka ngritur zërin për të reaguar ndaj emetimeve të kanaleve të tjera të Beogradit në platformat kosovare.

Nëse e merrni pak mundimin e shëtisni me pilotin tuaj televiziv nëpër përmbajtjen programore të platformave Kujtesa, Ipko, Telkos por edhe Art Motion e të tjera, do të shihni e do të bindeni se ato transmetojnë kanale nga Serbia si puna e B-92 apo tash O2, Pink, platforma Fox nga Beogradi e shumë e shumë kanale të tjera nga ky por edhe shtetet tjera të rajonit.

Tash shtrohet pyetja, a duhet të ndalen edhe transmetimet e këtyre kanaleve apo vetëm kanali Arena Sport i cili transmetohet në Art Motion?

Dhe pyetja tjetër që vjen menjëherë në mendje është: pse Bordi i Komisionit të Pavarur për Medie, Qeveria, Kuvendi, Nait Hasani dhe politikanët tjerë nuk reaguan tash e 18 vjet për këto dukuri?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: kësaj radhe KUJTESA dhe satelitët e saj kanë shfrytëzuar lidhjet me udhëheqës institucionalë të gjitha niveleve, për të bërë trysni mbi KPM-në duke e detyruar atë të marrë vendim anti ligjor, duke i shkelur të gjitha rregulloret dhe ligjet ekzistuese, për ta neutralizuar gabimin amatoresk biznesor që Kujtesa bëri kur bleu të drejtat për Ligën e Kampionëve.

Për të shpëtuar milionat e investuara, KUJTESA nuk po zgjedh mjete dhe mënyra për të ndalur përparimin dhe zhvillimin e Platformës më të re dhe më atraktive aktualisht në vendin tonë, Art Motion.

Kjo po ndodh për faktin se Art Motion ende pa u shtrirë mirë nëpër Kosovë, ka bërë abonuesit e dikurshëm të operatorëve të tjerë në vend, e në radhë të parë ata të Kujtesës, të orientohen kah Art Motion, që ofron qindra programe të reja dhe atraktive.

Prandaj, KUJTESA ka nisur një propagandë të bazuar në rrena, dezinformata dhe gjuhë të urrejtjes me qëllim që të njollos platformën Art Motion.

Në mënyrë të sinkronizuar, ka siguruar edhe mbështetje të deputetëve të caktuar, në radhë të parë të kryetarit të Komisioni Parlamentar për Medie, Nait Hasani, që nuk ngurruan aspak t’i bashkohen këtij “linçimi publik”.

Por, cila është e vërteta në krejt këtë punë?

Ne ciklin e ri të shitjes së drejtave televizive për Ligën e Kampionëve dhe Evropa Ligën, në sezonat 2018-2021 agjencioni TEAM, i cili është autorizuar nga UEFA për të bërë shitjen globale të drejtave televizive, me 1 maj 2017 ka dërguar letër informuese për kompanitë e interesuara duke theksuar katër pika:

  1. Kosova do të tenderojë në mënyrë të pavarur për të drejtat e LK në periudhën 2018-21
  2. Ky proces do të fillojë në të njëjtën kohë për Kosovë dhe Shqipëri
  3. Transmetuesit serbë do të lejohen të konkurrojnë për transmetim në gjuhën serbe në Kosovë, si pjesë e procesit të tenderimit
  4. Data e saktë e tenderimit për Kosovë nuk është definuar por sipas të gjitha gjasave nuk do të fillojë para fundit të vitit (2017)

Në fakt, me 14 dhe 15 shkurt, zyrtarë të kompanisë TEAM ishin në Prishtinë dhe u takuan, në hotelin Suis Diamond, me palët e interesuara. Ndër to ishin edhe Kujtesa dhe Art Motion. Gjatë takimit, zyrtarët e Art Motion janë interesuar nëse mund t’i blejnë edhe të drejtat në gjuhën serbe për Kosovë, por përgjigja që morën ishte se ato, tashmë, ishin shitur.

 

Me këtë rast është bërë e qartë se tenderimi i Ligës së Kampionëve dhe Evropa Ligës do të bëhet individualisht, por mund të jetë edhe i kryqëzuar; Kosova dhe Shqipëria do të tenderojnë njëkohësisht ndërsa që transmetuesve nga Serbia do t’ju lejohet tenderimi për gjuhë n serbe në Kosovë.

Është e vërtet se KUJTESA ka arritur t’i blej të drejtat ekskluzive për Kosovë, në gjuhën shqipe, por jo edhe të drejtat tjera për shtetin tonë, të cilat i kishte siguruar Arena Sport. Ndërkohë, Art Motion ka kontraktuar ligjërisht transmetimin e këtij kanali në platformën e vetë, dhe me këtë, edhe të drejtën e emetimit të komplet përmbajtjes së saj programore, e cila ligjërisht mund të emetohet në Kosovë.

Kur e ka kuptuar se gabimin e vetë dhe faktin tjetër se Champions mund të transmetohet pa asnjë problem në Kosovë, në gjuhën serbe, nga ndonjë kanal i platformës tjetër, e që nuk është Kujtesa, kjo platformë, nisi linçimin medial të Art Motion, duke bërë trysni te Komisioni i Pavarur i Mediave, përmes Komisionit Parlamentar për Medie, që udhëhiqet nga Nait Hasani, e përmes tij dhe komisionit edhe tek Bordi i KPM-së i cili në mënyrë arbitrare po hedh poshtë të gjitha faktet se Art Motion ka të gjitha të drejtat legale për transmetimin e Arena Sport në Kosovë, me komplet përmbajtjen e saj programore duke përfshirë edhe Ligën e Kampionëve.

Në fund të fundit, një burim nga Komisioni i Pavarur për Media ka thënë se ky komision, ka trajtuar me kujdes temën në fjalë dhe ka gjetur se Art Motion i ka të gjitha të drejtat ligjore për ta transmetuar në platformën e saj Champions Ligën, por në gjuhën serbe, përmes kanalit Arena Sport. Po ashtu, ky burim ka thënë se edhe Kujtesës i është bërë e ditur se ajo ka të drejta transmetimi vetëm në gjuhën shqipe, gjë kjo e cila shkruan qartë e shqip, në kontratën që vetë zyrtarët e Kujtesës e kanë nënshkruar.

Për më tepër ky burim ka thënë se në 3 ditët e fundit është bërë presion i jashtëzakonshëm ndaj KPM-së, për t’ia mohuar të drejtën Art Motion ta transmetojë Ligën e Kampionëve, nëpërmjet kanalit Arena Sport.

Përfshirja kaq e egër dhe e hapur e politikës për të ndikuar tek KPM, për të mbrojtur interesat financiare të kontratës së pakujdesshme të KUJTESËS dhe duke hedhur poshtë kontratat legale dhe të drejta që i ka Art Motion, është akt i pa presedan, i pandershëm dhe kundër ligjeve e rregullave që i ka bërë vetë shteti i Kosovës.

E çfarë në të vërtetë ndodhi ditëve të fundit?

KUJTESA përmes satelitëve medial, politikës, Qeverisë dhe Kuvendit nisi presionin paparë tek Bordi i KPM-së ndaj Komisionit të Pavarur për Medie, për të marr vendim jo ligjor për ndaljen e transmetimit të Arena Sport, të njëjtit kanal me të cilin vetë Kujtesa ka bashkëpunuar deri para disa muajve.

Faktikisht, me këtë presion, Bordi i KPM-së dëshiron që këtë institucion, pra KPM-në, ta shndërrojë në Komisionin Politik të Mediave.

Për ata që marrin vesh sado pak nga politika, e kuptojnë se këtu ka ndërhyrje direkte politike në punën e një komisioni të pavarur, por edhe të medieve, duke cenuar direkt nenin 6 të Ligjit për KPM-në, ku thuhet:

“Anëtarët e KPM-së si dhe personeli i KPM-së, nuk marri udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë edhe subjektet qeveritare. Pavarësia e KPM-së respektohet në çdo kohë dhe asnjë person apo subjekt nuk lejohet të ndikoj tek anëtarët e KPM-së në realizimin e detyrave të tyre”.

Tashti paramendojeni absurdin – KUJTESA ankohet në KPM për këtë rast, KPM-ja e thërret  Art Motion për sqarim dhe kërkon gjitha dokumentet dhe dëshmitë. Art Motion i dërgon të gjitha kontratat të cilat vërtetohen se janë legale dhe se kjo platformë funksionon 100 për qind në mënyrë ligjore.

Pastaj, KUJTESA kërkon nga KPM-ja që UEFA të intervenojë dhe ta pengojë Art Motion. UEFA e bën të kundërtën, pasi në përgjigjen që ia kthen KPM-së thotë se Arena Sport dhe Art Motion janë në rregull dhe se mund ta transmetojnë Ligën e Kampionëve në Kosovë, në gjuhën serbe.

Kur e tërë kjo i shkon huq, KUJTESA fillon kampanjën a pandershme të linçimit të Art Motion, duke përdorur rrena, dezinformime dhe deformime të dokumenteve, por asnjëherë duke i mos treguar dhe sqaruar ato plotësisht, duke fshehur të vërtetën dhe krejt në fund, duke luajtur me kartën e nacionalizmit të rrejshëm, edhe pse e di që vetë, deri para disa muajve ka bashkëpunuar me po këtë Arena Sport.

Ky veprim është i pahijshëm dhe joprofesional dhe bëhet me qëllimin e vetëm për të shpëtuar nga nënshkrimi i pakujdesshëm i kontratës milionëshe e cila, megjithatë, u vërtetua edhe nga UEFA dhe KPM-ja, se Kujtesës nuk i siguron ekskluzivitet të emetimit të ndeshjeve të Ligës së Kampionëve në Kosovë, pos transmetimit në gjuhën shqipe, pasi tjerët mund ta transmetojnë atë në gjuhë tjera.

Është fatkeqësi për Kosovën që KUJTESA e ka shfrytëzuar ndikimin biznesor dhe politik për të ndikuar tek Bordi i KPM-së që ta qojë Art Motion në “gijotinë” dhe ta ndëshkojë këtë të fundit pa pasur asnjë faj.

Kjo është e patolerueshme dhe Art Motion i siguron të gjithë, se Bordi Politik i KPM-së nuk mund t’i thyej gjitha ligjet duke i bërë favor të hapur Kujtesës, se Art Motion do ta zbatoj deri në fund, kontratën e ligjshme që e ka me Arena Sport, dhe se të gjithë ata që kanë vepruar në mënyrë jo ligjore se do të përballen me pasoja juridike.

Për gjitha këto Art Motion ka dëshmi dhe fakte të pamohueshme dhe të vërteta dhe se kushdo që është i përfshirë në këtë  linçim publik do të përgjigjet para ligjit.

Ky është tentim i pa suksesshëm i Kujtesës, me ndihmën e politikës, për t’ia ndal hovin platformës më të re dhe më traktive në Kosovë, e cila po përhapet në mënyrë të stuhishme.

Me fjalë tjera, Bordi Politik i KPM-së nuk mund ta ndal transmetimin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve dhe dhjetra sporteve tjera të Arena Sport në Art Motion.