11:17 / E Premte, 21 Korrik 2023 / LB

Reagimi skandaloz i Telekomit: Po përcjellni energji të keqe, po na paragjykoni

Telekomi i Kosovës ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në Indeksonline me titull “Menaxhmenti i Telekomit, vazhdon të shpërblej kompani të huaja me tenderë me negocim“.

Reagimi i Telekomit është skandaloz, joprofesional dhe tërësisht i varur nga emocionet.

Indeksonline para se të publikonte lajmin, kishte kontaktuar Telekomin, konkretisht zëdhënësin, Fadil Lepaja.

Madje në shkrimin e publikuar në Indeksonline është publikuar në tërësi përgjigja e kryeshefit.

Në reagimin e Telekomit niveli i përgjigjes është tejet i ulët dhe joprofesional ku media ndër të tjera akuzohet se po përcjellë energji të keqe.

Dhe në reagimin e plotë të Telekomit, askund nuk mund të demantohet publikimi i Indeksonline.

Reagimi skandal i Telekomit vazhdon edhe me nivel të ulët të debatit ku thuhet se ju si media mund të keni interese apo motive dashakeqe.

Reagimi i plotë i Telekomit është ky:

Siç është bërë zakon i mediumit tuaj, përmes çfarëdo raportimi nga Telekomi i Kosovës po e përcillni një energji të keqe te lexuesi, sidomos përmes paragjykimeve dhe interpretimeve arbitrare të fakteve /përgjigjeve që po ua kthejmë.

Është jokorrekte të paragjykoni motivet dhe t’i interpretoni veprimet e ligjshme dhe të kushtëzuara nga ligji si “avaz i vjetër” kur të gjithë e dimë se si korrupsioni dhe arbitrariteti ishin karakteristikat kryesore të këtij “avazi”, vetëm disa vite më parë dhe të cilat e kanë dëmtuar shumë kompaninë dhe buxhetin e shtetit. Ky menaxhment, me kontributin e veçantë të KE Burbuqe Hana, ka kontribuar që avazi i vjetër të mos vazhdohet dhe të ndërtohet një qasje e re, profesionale dhe e ligjshme ndaj të gjitha sfidave me të cilat po ndeshemi në rimëkëmbjen e kompanisë.

Kjo kompani, pra “IntegraTouch”, është përzgjedhur për të vazhduar me mirëmbajtjen e një platforme e cila është blerë vite më parë ( qysh më 2012 ) nga kompania “XELEX”, e cila kishte të drejtën ekskluzive të mirëmbajtjes dhe pronësinë intelektuale mbi këtë platformë. Pasi “IntegraTouch” më vonë e kishte blerë kompaninë “XELEX”, ajo kishte marrë edhe të gjitha të drejtat e saj. Për informimin e juaj, në vitin 2012 “XELEX” ka pasur si nënkontraktuese një kompani vendore, e cila ka ofruar harduerin dhe mirëmbajtjen për të njëjtin. Gjithashtu, “XELEX” që nga viti 2014 ka pasur edhe degën e vet në Kosovë.

Edhe shpenzimet/çmimet e mirëmbajtjes kanë rënë me kalimin e viteve. Kështu është e domosdoshme të vazhdohet (d.m.th. me mirëmbajtje të platformave ekzistuese) derisa TK të blejë platforma të tjera, e që dihet se janë të kushtueshme. Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje krahasuese lidhur me çmimet/koston e mirëmbajtjes së platformës që nga viti 2017:

2017 = 200,000.00 euro

2019 = 160,000.00 euro

2020 = 160,000.00 euro

2022 = 100,000.00 euro

2023 = 100,000.00 euro

Telekomi i Kosovës, pikërisht për ta ndërprerë “Avazin e vjetër të shpërblimit të kompanive që asnjëherë nuk i kanë kryer punët “ po përballet me procese në gjykata dhe arbitrazhe për kontratat e dëmshme, dhe vazhdimisht do të ngrejë padi ndaj kompanive që kanë marrë paratë dhe nuk kanë kryer obligimet, pavarësisht nëse janë vendore apo të huaja, nëse janë kompani të mëdha apo të vogla.

Edhe pse do të donim që shërbime të tilla të ofrojnë kompani vendore, megjithatë nuk kemi paragjykime, por bazohemi vetëm në nevojat e procesit, profesionalizmin, kualitetin, obligimet dhe të drejtat tona ligjore.

E kuptojmë që mund të keni interesa apo motive të tjera për të qenë tendencioz apo dashakeq, por ju lutemi që për çfarëdo pohimi nga ana e juaj të mbështeteni në dokumente dhe fakte relevante e jo të nxirrni përfundime subjektive apo paragjykime.

Si gjithnjë, pavarësisht raportimit tendencioz dhe interpretimeve subjektive, jeni të mirëpritur që të kërkoni gjithë informacionin e nevojshëm përpara se të ngrini interpretime dhe akuza publike të paqëndrueshme, të cilat e dëmtojnë jo vetëm reputacionin e kompanisë sonë, por edhe besueshmërinë tuaj në sytë e publikut.