16:18 / E Enjte, 20 Janar 2022 / OSH

Reagojnë dy ish-anëtarët e RTK-së: Nuk pranuam telefona mobile, do t’i padisim për shpifje nëse s’tregojnë emra e mbiemra

IndeksOnline raportoi më parë për keqmenaxhimin nga ana e menaxhmentit të RTK-së në menaxhimin e kontratave të Marketingut të RTK-së.

Në vendim thuhej se rasti ka të bëj me keqpërdorimet me telefonat mobil të RTK-së të cilët kanë qenë të dedikuar të shpërndahen në bazë të nevojave të udhëheqësve të sektorëve dhe nevojave programore për xhirime përmes sistemit MoJo ( Mobile Journalisëm).

Por, siç thuhet në vendim, këta telefona janë shpërndarë kryesisht për ish-anëtarë të Bordit, anëtarë të Menaxhmentit të lartë të RTK-së, si dhe për disa nga menaxherët e njësive kurse vetëm dy sosh janë ndarë për gazetarët.

Për këtë kanë reaguar anëtarët e shkarkuar së fundi, Bajram Mjeku dhe Albinot Maloku, të cilët thanë se asnjëherë nuk kanë pranuar telefona mobilë nga RTK.

“Me përgjegjësi morale e profesionale deklarojmë se asnjëherë nuk kemi pranuar telefona mobilë nga Radio Televizioni i Kosovës. Dhe, jo vetëm kjo, por nga 14 gushti i vitit 2020, më saktë ditën kur jemi zgjedhur anëtarë të Bordit të RTK-së e deri ditën kur jemi shkarkuar më 8 korrik të vitit 2021, as edhe një privilegj më të vogël nuk e kemi përfituar nga Radio Televizioni i Kosovës, përveç pagës si anëtar i Bordit të RTK-së”, thuhet në reagim.

Madje, të njëjtit pohuan se në rast se RTK nuk del së shpejti me njoftim se kush janë ish-anëtarët që kanë përfituar do të ngritin kallëzim penal për shpifje./IndeksOnline/

Reagimi i plotë:

Reagim ndaj Bordit të Radio Televizionit të Kosovës

Në Vendimin e lëshuar mbrëmë nga Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së me numër protokolli 0005/22 të datës 19.01.2022, lexuam këtë paragraf:

“Evidentohet keqmenaxhim nga ana e menaxhmentit të RTK-së në menaxhimin e kontratave të marketingut në RTK, siç është rasti i konstatuar në Raportin e Auditimit ‘Aktivitetet e Marketingut për kontratat me kompensim 2021’, për keqpërdorimet me telefonat mobil të RTK-së, të cilët kanë qenë të dedikuar të shpërndahen në bazë të nevojave të udhëheqësve të sektorëve dhe nevojën programore për xhirime përmes sistemit MoJo (Mobile Journalism). Mirëpo, këta telefona mobil janë dhuruar (shpërndarë), kryesisht për ish-anëtarët e Bordit, anëtarët e Menaxhmentit të Lartë të RTK-së, si dhe për disa nga menaxherët e njësive, ndërsa vetëm dy (2) sosh janë ndarë për gazetarët, përkundër faktit që këta telefona kanë qenë të dedikuar të shpërndahen në bazë të nevojave programore për xhirime përmes sistemit MoJo (Mobile Journalism)…”.

Me përgjegjësi morale e profesionale deklarojmë se asnjëherë nuk kemi pranuar telefona mobilë nga Radio Televizioni i Kosovës. Dhe, jo vetëm kjo, por nga 14 gushti i vitit 2020, më saktë ditën kur jemi zgjedhur anëtarë të Bordit të RTK-së e deri ditën kur jemi shkarkuar më 8 korrik të vitit 2021, as edhe një privilegj më të vogël nuk e kemi përfituar nga Radio Televizioni i Kosovës, përveç pagës si anëtar i Bordit të RTK-së.

Në rast se Bordi i RTK-së në një afat sa më të shkurtër, nuk del me një deklaratë me emër e mbiemër, se cili anëtar i shkarkuar i Bordit të RTK-së ka pranuar si dhuratë telefona mobilë, atëherë brenda afatit ligjor, do të angazhojmë avokatin tonë, për të nisur kallëzim penal për shpifje ndaj Bordit aktual të RTK-së.

Bajram Mjeku

Albinot Maloku

Anëtarë të shkarkuar të Bordit të RTK-së.