Reagon avokati i Demaliajt: Gjykata ka marrë vendim pa prova
Deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliajt i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës për veprën penale; Kanosja nga neni 185 par. 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, avokati i deputetit Demaliaj, Arianit Koci ka reaguar ndaj këtij dënimi, duke thënë për Indeksonline se gjykata ka marrë vendime pa prova dhe se klientit të tij i caktohet paraburgim për deklarim emocianal për të cilin edhe ka kërkuar falje.
“Po përdoren standade të dyfishta në sistemin gjyqsor, për shkak se kemi pasur rastin që dy deputetë janë rrahur në studio televizive, dhe nuk u është caktuar masa e paraburgimit. Tani, gjykata cakton paraburgimin e deputetit Demaliaj për deklarimin emocional nën afekt, për të cilin edhe ka kërkuar falje. Duhet të ceki se gjykata ka marrë vendim pa prova dhe pa e ditur se kur është emituar emisioni “, shprehet Koci.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari SH.D. është caktuar masa e paraburgimit në afat prej një (1) muaji nga dt.27.09.2018 deri më dt.27.10.2018./Indeksonline/