22:08 / E Diele, 14 Tetor 2018 / indeksADMonline

Reagon Behgjet Pacolli: Serbia po përhap lajme të rreme

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh shefi i diplomacisë Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj obstruksioneve, të cilat Serbia i projekton kundër afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, duke thënë se bëhet fjalë për një subordinim deri në nënshtrim të mediave në Beograd nga Qeveria e Serbisë.

Ai në një status në Facebook shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq punojnë me zell, me përdorimin e lajmeve të rreme në Serbi, por ajo çfarë befason është se një pjesë e këtyre mediumeve dhe lajmeve të rreme, merren si burim në rajon, madje edhe Kosovë, pa u filtruar.

Shkrimi i plotë:

Për këdo që përcjellë me vëmendje zhvillimet në lidhje me obstruksionet të cilat Serbia i projekton kundër afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, është krejtësisht e qartë se kemi të bëjmë me një subordinim deri në nënshtrim të mediave në Beograd nga qeveria e Serbisë.

Mediat e subordinuara janë kthyer në zë propagandues të politikës destruktive, duke përhapur lajme të rreme, ‘fake news’. Regjimit, i cili ka shtypur çdo zë kritik në Beograd, madje edhe oponencën politike, nuk ka mundur t’i rezistojë pothuaj asnjë medium. Dhe duke qenë që për mediat serbe, realiteti i Kosovës nuk është mbuluar asnjëherë drejtë, edhe atyre mediave të cilat njohin realitetin, nuk u bëhet vonë t’i vihen në shërbim qeverisë së Serbisë, sepse me temën e Kosovës ato mund të mashtrojnë publikun pa rrezikuar të humbin kredibilitet.

Këto media kritikojnë Kosovën, SHBA-të, e hera herës edhe BE-në.  Vuçiqi dhe Daçiqi janë dy njohësit më të mirë të politikës, mentalitetit dhe kulturës propaganduese dhe konspirative, dhe tashmë po punojnë me shumë zell, me përdorimin e lajmeve të rreme në Serbi. Ajo çfarë befason është se një pjesë e këtyre mediumeve dhe lajmeve të rreme, merren si burim në rajon, madje edhe Kosovë, pa u filtruar mirë.  Nuk është në kulturën tonë të shërbehemi me lajme të rreme, por duhet thënë që edhe kur nuk kanë ekzistuar mjetet e komunikimit masiv, ne kemi pasur konsensus që propagandës së Serbisë, t’i kundërvihemi me sukses, me fakte, me drejtësi.