75 Mall Live Search
13:37 / E Diele, 24 Shtator 2023 / mp

Reagon Borrell: Faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen, jetët e personave të pafajshëm janë në rrezik

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, ka reaguar lidhur me sulmin nga grupe të armatosura serbe në veri të vendit.

Borrell ka thënë se faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen, dhe se autorët duhet të dalin para drejtësisë.

Ai ka thënë se jetët e personave të pafajshëm janë në rrezik si pasojë e sulmeve.

Reagimi:

Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë.

Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë.

EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in.

BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës.